Osmani në Forumin e Antalias: Populli i Kosovës ka tejkaluar pushtimin shekullor

Në fjalimin e saj në Forumin Diplomatik të Antalias, Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova edhe në kohë lufte ka zgjedhur paqen dhe diplomacinë.

Para të pranishmëve, ajo është shprehur se në vitet e 90’ta kur populli i Kosovës ishte viktimë e gjenocidit nga regjimi, ai ka zgjedhur marrëveshjen e Rambujesë – “edhe pse një pjesë e madhe e saj nuk ishte ajo çfarë kishim kërkuar, por ishte zgjidhje paqësore që do të ndalte luftën”.

“U desh t’i themi ‘po’ asaj marrëveshje sepse hapte rrugën për aleanca. Në kohë trazirash dhe tensionesh, është shumë me rëndësi të dish se kush qëndron përkrah teje. Nëse kemi miq përkrah nesh, kemi një dorë që na ndihmon. Miqtë nuk i mbyllin sytë ndaj vuajtjeve tua dhe ndaj një sundimi. Ata qëndrojnë përkrah teje për të të ndihmuar”, ka theksuar Osmani.

“Populli i Kosovës ka tejkaluar pushtimin shekullor. Ne kemi qenë viktima të gjenocidit për shumë vite, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, kemi qindra gra të përdhunuara. Përkundër kësaj dhimbjeje, kemi zgjedhur rrugën e dialogut, rrugën paqësore”.

Tutje, presidentja ka thënë se shembulli i ndihmës që i është dhënë Kosovës nga ndërkombëtarët duhet të ndiqet nga të gjithë.

E para e shtetit të Kosovës është pjesë e panelit kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetmë: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.


Shtuar 1.03.2024 16:57