Rikthime, mungesa dhe dyshime, Erbim Fagu nis përgatitjet për Klasiken e Shqipërisë

Tirana do të udhëtojë në transfertë për të bërë llogaritë me Vllazninë në “Loro Boriçi”. Takim ky i vlefshëm për javën e 26-të të Superiores dhe që do të luhet ditën e shtunë në orën 17:00.

Bardheblutë vijnë pas barazimit me Laçin dhe ndaj shkdoranëve janë të detyruar vetëm për fitoren për të blinduar pozitat e tyre në “Final – Four”, pasi Dinamo dhe Skënderbeu janë po aty për t’iu rrëmbyer vendin e 4-të.

Nuk do të jetë aspak e lehtë për Erbim Fagun, pasi edhe në Klasiken e Shqipërisë do të ketë mungesa. Filip Najdovski do të vazhdojë të mungojë për shkak se mbrojtësi nuk është ende gati për të luajtur.

Por jo vetëm kaq, pasi në dyshim ndaj kuqebluve është edhe Ermal Meta, gjendja e të cilit do të shikohet deri para sfidës. Ndërkohë lajm i mirë për timonierin e kryeqytetasve është rikthimi i Ardit Deliut dhe Florjan Përgjonit, të cilët do të marrin vendin e tyre në formacion. /newsport.al/


Shtuar 29.02.2024 09:01