Sot KLGJ vendosi pezullimin e kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedanit pas publikimit të videove në TikTok.
Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani është shprehur se, nga hetimi disiplinor provohet, se nga ana e magjistrates Enkeleda Kapedani janë kryer sjelleje në kundërshtim me parimet e integritetit të magjistratit dhe parimit të sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje, të parashikuara në Kodin e Etikës Gjyqësore. Sjelljet dhe veprimet e magjistrates të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, por edhe në ambientet e ushtrimit të detyrës, diskretitojnë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje shumë e rëndë disiplinore.
“Gjyqtari duhet të ruajë dhe zbatojë standarde të larta të sjelljes dhe duhet t’i respektojë personalisht këto standarde, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe në jetën private. Gjyqtari duhet të transmetojë përvecse drejtësi, edhe besueshmëri e etikë të lartë, integritet në dhënien e një vendimi gjyqësor. E për ta përmbushur, sjellja e tij duhet ta reflektojë këtë në cdo aspekt të punës dhe jetës së tij”, tha Metani./albeu.com