Anëtar i bandës së Gaxhait, Gjykata e Durrësit lë në burg “Çipurin”

Gjykata e Durrësit ka vleftësuar të vlefshëm arrestimin e ish-anëtarit të bandës së Gaxhait, Amarildo Sulejmani nga Vlora dhe caktoi si masë shtrënguese atë të arrestit në burg me afat 2 muaj.

Gjyqtarja Shpëtime Pitaku e vlerësoi këtë periudhë të mjaftueshme për prokurorinë për të dokumentuar akuzën e ngritur ndaj tij për vjedhje automjeti.

Arrestimi

Armando Sulejmani i njohur si Çipuri dhe pjesë e grupit të Gazmend Brakës, është vënë në pranga në Durrës 3 ditë më parë. Në momentin e arrestimit, Çipuri ishte brenda një makine të vjedhur tip “Mercedes Benz”, me targa të mbivendosura, të cilat ishin gjithashtu të grabitura. Sipas databazës së Policisë, targat i përkasin një makine tip “Range Rover”, e cila ishte vjedhur në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar.

Por, për çfarë akuzohet Çipuri?

Arrestimi i Armando Sulejmanit, një prej anëtarëve të grupit të Gaxhait nuk ka qenë rastësi dhe as si pasojë e një kontrolli rutinë. Materialet për ndjekjen dhe lokalizimin e tij kanë nisur të studiohen që pas rrëfimit të Amarildo Nikollit, ‘Shkodranit’ që ka zbërthyer atentate të bujshme të ndodhura gjatë viteve 2020-2023.

Kështu, sapo e pikasën, efektivët e policisë i kërkuan “Çipurit” që të zbresë, në mënyrë që t’i vendosnin prangat, por kanë hasur kundërshti nga ana e tij. Përtej kundërshtive, ai u arrestua dhe tashmë ndodhet pas hekurave. Në kërkim është shpallur edhe një i ri, që akuzohet se ka bashkëpunuar me Çipurin për grabitjen e mjetit me të cilin lëvizte në momentin që u prangos, por nuk dihet ende identiteti i tij.

Sulejmani do të merret në pyetje për një ngjarje shumë të rëndë që ka ndodhur një vit më parë në Tiranë dhe dyshohet se është ai autori.

Armando Sulejmani ka një histori të gjatë në botën e krimit, pasi si pjesë e bandës së Gaxhait, të akuzuar për konfliktet e tyre me familjen Llanaj, ka qenë aktiv në krime të ndryshme. Llanajt dhe banda e Gaxhait kanë një sagë të gjatë hakmarrjeje mes tyre, deri në vitin 2015, kur ndodhi “Masakra e Çoles”.

Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj mbetën të vrarë pas një sherri në kazino. Për masakrën në fjalë, policia identifikoi si autorë tre persona: Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt u dënua me burg të përjetshëm, ndërsa Begaj dhe Aliaj me nga 35 vite secili, por në mungesë, pasi Ani Begaj u vu në pranga shtatë vite më vonë, në 2022-shin.

Ferdinand Llanajt iu bë një atentat mafioz në vitin 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani.

“Çipurit” i është bërë një atentat në muajin maj të vitit 2016, në hyrje të banesës së tij në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Ai u qëllua me 11 plumba, por shpëtoi duke u plagosur vetëm me një plumb në krah. Në vitin 2019 ra sërish pre e një atentati teksa udhëtonte me kunatin dhe mikun e tij, Orest Rexho dhe Arian Hasani, të cilët mbetën të dy të vdekur. “Çipuri” shpëtoi sërish. Një muaj para se të sulmohej Sulejmani, i ishte bërë një atentat mafioz Mikel Mehmetit, të njohur si anëtar i bandës së Llanajve.

Motra e Armando Sulejmanit ka rënë gjithashtu pre e një sulmi me tritol. Motra e Armando Sulejmanit rezulton të jetë me mbiemrin Elmazi dhe është gjithashtu nëna e Daut Elmazit, i cili ndodhet në burg, për atentatin ndaj Inez Hajrullës. Armando Sulejmani ka qenë i dënuar për vrasje me 20 vite dhe është liruar në rrethana të paqarta. Në 2019-n pasi iu bë atentati ku humbi kunatin dhe shokun e tij, u vu në pranga, por sërish u lirua./albeu.com