Protesta e fermerëve polakë: Zelensky dërgon një delegacion për negociata në pikat kufitare

Pas disa ditësh të protestave nga fermerët polakë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vendosur të dërgojë kryeministrin Denys Shmyhal dhe anëtarë të tjerë të kabinetit në pikat e bllokuara kufitare për të zhvilluar negociata.

“Kjo vlen veçanërisht për ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov”, tha Zelensky në një video fjalim të publikuar në ukrainisht dhe polonisht.

Kjo duhet të ndodhë para përvjetorit të dytë të luftës të shtunën.

“Për fat të keq, kjo bllokadë në kufi rrezikon furnizimin me armë për djemtë tanë në front”, tha ai.

Zelensky iu drejtua gjithashtu kryeministrit polak, Donald Tusk dhe presidentit të Polonisë Andrzej Duda.

Presidenti ukrainas theksoi se kjo është një çështje e sigurisë kombëtare të Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, Zelensky tha se Komisioni Evropian duhet të dërgojë gjithashtu përfaqësues në takim.

Prej disa ditësh, fermerët polakë janë përpjekur të bllokojnë kamionët që transportonin grurë ukrainas në kufirin polako-ukrainas.

Pakënaqësia e fermerëve polakë drejtohet kundër politikës bujqësore të BE-së, por edhe kundër importit të produkteve bujqësore të lira nga Ukraina.

Polonia është një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Ukrainës në luftën që po vazhdon për gati dy vjet.

Sidomos në fillim të pushtimit rus, vendi fqinj ishte një nga destinacionet kryesore për miliona refugjatë ukrainas.


Shtuar 21.02.2024 21:31