“Kam dhënë dorëheqjen”, Kapedani shpërthen në të qara: Kë kam shkelur në kallo që po bëhem kokë turku?

Sot po shqyrtohet kërkesa e ILD-së për shkarkimin e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani. Vetë gjyqtarja është e pranishme në seancë, ku po përballet me inspektorin Artur Metani, i cili tha se ekzistojnë kushtet ligjore për pezullimin e Kapedanit nga detyra.

Gjyqtarja Kapedani ka pretenduar se videot që janë publikuar në tiktok nuk janë bërë në orarin e saj të punës, dhe diskretitimi i saj është bërë për shkak të çështjeve të nxehta që ka pasur në dorë.

Ajo tha se ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Elbasanit, ndërsa i kërkoi KLGJ-së mos-shkarkimin e saj, pasi siç edhe ajo pretendon veshja dhe muzika nuk kanë ndikim në punën e saj.

Metani: Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.

Kapedani: Po e nis mbrojtjen me një ndjesë të thellë publike. Kam pritur gjatë të dalë para jush. Kjo për shkak të një vendimi të dhënë nga unë që me ndjek e perndjek edhe sot. Jam gjyqtare e denjë.

Asnjë sekondë e jetës sime private nuk ka ndikuar te puna. E gjithë kjo që ka ndodhur është një tmerr për mua, pa menduar dy herë të gjithë vendosën që të më bëjnë gjyq publik. A keni ju një bilanc të punës sime si gjyqtare?

Më lejoni të pyes sërish se në cilin vend të botës një gjyqtar shkarkohet se po dëgjon muzikë, apo që i janë publikuar video private. Pse isha pikërisht unë e goditura, kë kam shkelur unë në kallo, kam të drejtë të pyes, pasi më lindin shumë pikëpyetje.

Është e qartë se kjo situatë ka qenë e qëllimshme, kryesisht për shkak të karrierës sime. Mos vallë isha duke konsumuar drogë? Isha duke komunikuar me avokatë apo prokurorë?

Unë e kuptoj presionin e madh që qëndron mbi ju, po ashtu dhe mbi mua, mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit të godasin mbi mua.

Unë kam paraqitur dorëheqjen nga posti i nënkryetares së Elbasanit, për të vijuar më tej punën si gjyqtare në këtë insitucion.


Shtuar 7.06.2021 14:42