Blinken sot në Tiranë, takim me Ramën e Begajn

Ditën e sotme, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të zhvillojë  një vizitë në Tiranë. Diplomati amerikan pritet të mbërrijë në orën 11:00 dhe do të qëndrojë deri në 20:00.

Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj, si dhe do të mbajë një takim edhe me të rinjtë te Piramida.

Mësohet më herët se Sekretari amerikan i Shtetit, do të nënshkruajë edhe disa marrëveshje në Tiranë.

Bëhet fjalë për një memorandum mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa marrëveshja tjetër ka të bëjë në fushën e edukimit, lidhur me programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”.

Pasi të mbërrijë në Rinas, diplomati amerikan do të udhëtojë drejt kryeqytetit nën masa të rrepta sigurie.

Vizita e parë e Antony Bliken, konfirmon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu, forcon pozitat e Shqipërisë si një vend kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.


Shtuar 15.02.2024 07:41