Përmes sekretarit të Përgjithshëm Tedi Blushi, Partia e Lirisë, i kërkon SPAK-ut të hetojë se ku kanë shkuar dhe si janë menaxhuar paratë për procesin e rindërtimit, pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Në një deklaratë për mediat, Blushi akuzoi qeverinë se nuk ka bërë transparencë për procesin e rindërtimit, teksa ende ka familje që nuk kanë marre banesat e premtuara.
Blushi thotë se kush ka vjedhur nga fondet e rindërtimit duhet të japë llogari, ndërsa thotë se heshtja e drejtësisë përballë këtij krimi, siç ai e cilëson, është bashkëfajtor.
Gjithashtu, Blushi shprehet se; “Madje duke u keqpërdorur edhe si kartë elektorale në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe në zgjedhjet e fundit lokale, kur të gjithë i mbajnë mend Kryeministrin, ministrat, kryebashkiakët dhe patronazhistët e “Rilindjes” që tundnin çelësat në dorë para syve të fatkeqve që tërmeti i la pa shtëpi duke u bërë shantazh për votat”.
Deklarata:
“Edhe pse kanë kaluar mbi 4 vite nga tërmeti tragjik, mijëra qytetarë ende nuk i kanë përfituar banesat e reja të premtuara. Sot ata janë mes katër rrugëve dhe nën qiell të hapur, të braktisur dhe të harruar nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, i cili në 30 dhjetor 2019 u premtoi se brenda vitit 2020 do të hynin në apartamentet dhe shtëpitë e reja.
Ka kaluar gati një mandat qeverisës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kujtohet tani të bëjë me dije se janë në pritje për t’u ndërtuar edhe 125 pallate, por pa sqaruar afatin dhe numrin e saktë të familjeve përfituese. Tirana dhe Durrësi vijojnë të jenë kantiere të hapura në disa drejtime dhe askush nuk di të thotë me saktësi se kur do të përfundojë ky proces.
Negocimi në tavolinë, mungesa e transparencës nga Qeveria dhe bashkitë, si dhe copëzimi në disa institucione i programit, e ka bërë të pamundur të kuptohet çfarë është përfunduar, çfarë është në proces dhe çfarë mbetet ende për t’u bërë. I vetmi bilanc, evidencë dhe “transparencë” që “Rilindja” ka prodhuar për rindërtimin është se bujaria europiane është shpërdoruar brutalisht nga babëzia qeveritare.
Madje duke u keqpërdorur edhe si kartë elektorale në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe në zgjedhjet e fundit lokale, kur të gjithë i mbajnë mend Kryeministrin, ministrat, kryebashkiakët dhe patronazhistët e “Rilindjes” që tundnin çelësat në dorë para syve të fatkeqve që tërmeti i la pa shtëpi duke u bërë shantazh për votat.
I njëjti krim zgjedhor rrezikon të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme. Prej fillimit të vitit 2020 dhe deri në fund të dhjetorit 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin kapin shifrën marramendëse të rreth 885 milionë euro. Ndërkohë që për vitin 2024, Qeveria ka parashikuar edhe një fond shtesë prej rreth 65 milionë euro. Pra rreth 1 miliard euro shpenzime shtetërore kur, ndërkohë mijëra qytetarë janë ende pa shtëpi.
Kriminale është mungesa e plotë e transparencës dhe llogaridhënies se ku përfunduan këto qindra milion euro dhe pse qytetarëve të prekur nga tërmeti që ju premtua një apartament apo një shtëpi e re nga Edi Rama nuk i kanë ende në dorë çelësat e tyre.
Drama sociale bëhet edhe më e madhe, referuar faktit se Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit, jo në të gjitha rastet e kanë paguar qiranë për këta banorë, duke i lënë këto familje t’i bëjnë vetë pagesat. Pa harruar dhe rastet flagrante të pabarazisë në trajtimin e familjeve dhe abuzimeve të bëra publike, përmes të cilave kanë përfituar dhe njerëz të paprekur nga tërmeti.
Klientelizmi dhe korrupsioni i shfrenuar i Qeverisë, që mezi pret tragjeditë për të vjedhur fondet është arsyeja e vetme pse procesi i rindërtimit ende nuk ka përfunduar. Preferenca e Edi Ramës për të negociuar në tavolinë me biznesin, miratimi i një ligji të veçantë klientelist nga “Rilindja” dhe refuzimi i një gare të hapur, ku konkurrenca do të rriste pjesëmarrjen, rrjedhimisht do të çonin në këtë situatë.
Është kjo arsyeja pse dhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë nënvizohej qartësisht se “shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë, pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike”. Nuk është rastësi që kullat shumëkatëshe në Tiranë, ku në “ortakëri” janë Edi Rama dhe Erion Veliaj përfundojnë në pak muaj, ndërkohë që për shtëpitë njëkatëshe dhe garsonieret e hallexhinjëve Qeveria dhe Bashkitë nuk kanë hedhur asnjë tullë.
Partia e Lirisë duke u solidarizuar dhe mbështetur të gjithë banorët e prekur nga tërmeti tragjik i vitit 2019, të cilët ende nuk kanë hyrë në banesat e reja të premtuara, i bën thirrje SPAK të nisë menjëherë hetimet lidhur me mënyrën e menaxhimit dhe shpenzimeve të gati 1 miliard eurove të procesit të rindërtimit. SPAK duhet të nisë menjëherë hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore menaxhuesit, shpërdoruesit dhe vjedhësit e qindra miliona eurove, që në zgjedhjet e ardhshme pritet të përdorin shantazhin me shtëpitë për t’u blerë votat qytetarëve në hall. Heshtja përballë këtij krimi është bashkëfajësi! Qytetarët presin me padurim shtëpitë e reja! Ata duan drejtësi me paanësi dhe jo me regji! Kush ka vjedhur fondet dhe i la pa shtëpi duhet të japë sa më parë llogari”, shprehet ai.