Dhimbjet dhe depresioni kanë një lidhje të ngushtë dhe të pashmangshme mes tyre. Depresioni mund të shkaktojë dhimbje dhe dhimbjet mund të nxisin shfaqjen e depresionit, thonë ekspertët.
Sipas tyre, në raste të caktuara, dhimbjet dhe depresioni mund të shkaktojnë një rreth vicioz të dëmshëm për shëndetin. Dhimbja mund të përkeqësojë simptomat e depresionit dhe më pas ky i fundit përkeqëson ndjesinë e dhimbjes.
Në shumë raste, depresioni shkakton simptoma të pashpjegueshme fizike siç është dhimbja e shpinës apo dhimbjet e kokës. Këto dhimbje të pashpjegueshme mund të jenë shenjat e para të depresionit.
Dhimbjet dhe problemet që shkaktojnë ato mund të shkaktojnë një drobitje të fortë tek njeriu dhe të ndikojnë edhe tek humori i tij. Kur dhimbjet bëhen kronike ato vështirësojnë gjumin dhe shkaktojnë stres duke i çelur kështu rrugën depresionit.
Kur dhimbjet bëhen aq të forta sa të pengojnë aftësitë fizike, ato mund të jenë të dëmshme për vetëbesimin dhe rrjedhimisht të shkaktojnë probleme në aspektin emocional.
Për të mbajtur nën kontroll simptomat e dhimbjeve dhe depresionit, ekspertët këshillojnë trajtime të veçanta për secilin prej problemeve. Megjithatë, ka disa trajtime falë të cilave, njeriu mund të luftojë depresionin por edhe dhimbjet.
Antidepresantët
Këto barna që duhen marrë vetëm me këshillën e mjekut ndihmojnë në largimin e dhimbjeve dhe zbrapsjes së depresionit për arsye se të dyja problemet kanë të përbashkët disa neurone përçuese në tru.
Këshillimi psikologjik që nxit dialogun me veten dhe të folurin është një mënyrë efikase në trajtimin e të dyja problemeve. Terapia bëhet me një psikolog të zgjedhur, i cili ju ndihmon në adresimin e këtyre çështjeve.
Aktiviteti fizik, meditimi, mbajtja e një ditari dhe strategji të tjera të tilla janë shumë të mira për të mbajtur mendjen dhe trupin të shëndetshëm. Këshilla e fundit, por jo për nga rëndësia, është që nëse vuani nga dhimbjet dhe depresioni të mos prisni që gjërat të kalojnë vetë.
Nuk keni asnjë arsye përse të zgjasni vuajtjen. Konsultohuni me një mjek për të marrë trajtimin më të mirë që t’i riktheheni hovit të jetës sa më parë.