“I lumtur për statistikën e arritur, Kombëtarja ëndërr e madhe”, Mario Dajsinani: Frymëzohem nga portieri i Realit

Mario Dajsinani është kthyer në një pikë kyçe për ekipin e Laçit që prej vitit 2021 kur u transferua te kurbinasit. Me paraqitjet e tij fantastike deri më tani, ku edhe këtë sezon ka bërë performanca të shkëlqyera, Dajsinani e ka treguar që është një garanci për portën e ekipit të Mirel Josës.

Por Dajsinani gjithashtu këtë sezon ka një statistikë mjaft të veçantë. Gardiani 25-vjeçar i Laçit nuk është zëvendësuar asnjëherë dhe e ka nisur çdo takim si titullar. Mario ka luajtur çdo minutë në Superiore gjatë 20 javëve kampionat.

Teksa në një prononcim ekskluziv për “Newsport.al” është vetë Dajsinani që shprehet mjaft i lumtur për këtë statistikë të arritur. Ëndrra më e madhe e tij është Kombëtarja, ndër të tjera flet dhe për idhullin e tij nga i cili frymëzohet.

“Më bëhet qejfi për veten time në radhë të parë që kam luajtur të gjitha ndeshjet deri më tani. Duhet të them shyqyr Zotit që nuk kam patur asnjë dëmtim këtë sezon. Ishalla nuk do të kem dëmtime as në të ardhmen, sepse shihet qartë që ato të prishin shumë punë dhe ecurinë pozitive që mund të kesh.

Synimi im është që të luaj në një kampionat më të fortë në të ardhmen. Por sigurisht Kombëtarja është një ëndërr, më e madhja për të gjithë mund të them. Shpresoj shumë që një ditë të më realizohet.

Përveç stërvitjes intensive që kryej, përsa i përket portierëve edhe unë kam një idhull si të gjithë. Idhulli im është Thibaut Courtois, portieri i Real Madrid. Unë i shikoj shpesh videot e ndeshjeve të tij dhe stërvitjeve që ai bën. Ai më pëlqen jashtë mase si portier”, është shprehur Mario Dajsinani për Newsport.al. /newsport.al/


Shtuar 26.01.2024 15:32