Argjentina ka barazuar në shtëpi kundër Kombëtares se Kilit në një ndeshje tepër interesante. Lionel Messi ka qenë lojtari më i rrezikshëm për Argjentinën ku shënoi një gol, goditi shtyllën dhe disa herë portën por ishte portieri i Kilit që ishte në formë sonte ku bëri disa pritje interesante. Për Kilin golin e barazimit e shënoi ylli i kësaj skuadre, Alexis Sanchez
Argjentina ka barazuar në ndeshjen e rrethit të pestë për kualifikime në Botërorin e Katarit kundër Kilit.
Ishte një ndeshje tepër e mirë ku Argjentina luajtën shumë më mirë në pjesën e parë të ndeshjes. Në minutën e 20-të në zonën e rreptësisë pengohet Di Maria. Fillimisht nuk akordohet penallti por më vonë pas rishikimit në VAR gjyqtari referon penallti për Argjentinën të cilën në gol e shndërron Messi në minutën e 24-të të ndeshjes.
Argjentina ishte më e mirë deri në minutën e 30 por nga kjo minutë do të ishte Kili që do të rrezikonin më shumë, kështu, pas një ndërprerje Medel do të asistonte rastësisht për Alexis Sanchez kurse ky i fundit do të shënonte gol në minutën e 36-të të kësaj ndeshje.
Pjesa e dytë nuk ishte më e mirë se pjesa e parë, me dy skuadrat që e filluan shumë ngadalë këtë takim. Megjithatë, për një nuancë Argjentina ishte më e mirë, sidomos Lionel Messi që disa herë rrezikoi portën e kundërshtari.
Messi rastin më të mirë e pati në minutën e 81-të kur goditi shtyllën pas goditjes së lirë. Tre minuta më vonë ai do të godiste edhe njëherë, prapë nga loja e hapur por që Claudio Bravo përsëri do të intervenonte dhe nuk do të lejonte që ai ta shënojë golin e dytë personal në këtë ndeshje.
Pas këtij barazimi, Argjentina mbetet në vendin e dytë më 11 pikë, dy më shumë se Ekuadori që të shtunën në mëngjes sipas orës sonë luan kundër liderit të kualifikimeve për Botëror në Amerikën Latine, Brazilit.