Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se prapa fuqizimit të ushtrisë së Kosovës qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke komentuar vendimin e amerikanëve për t’i shitur Kosovës raketat “Javelin”, presidenti serb ka thënë se ata “po e bëjnë Kosovën tejet të fuqishme”.
Ai e ka vlerësuar në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së, vendimin e SHBA-së për t’i shitur Kosovës 246 raketa antitank si dhe pajisjet përcjellëse. Sipas Vuçiçit, kjo rezolutë nuk parasheh që Kosova të ketë ushtri.
“Sipas Rezolutës 1244, nuk guxon të ketë asnjë grup të armatosur të shqiptarëve të Kosovës, kurse ata krijuan një ushtri për ta dhe vazhdojnë ta krijojnë atë. A jemi mjaft të fortë si Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia – nuk jemi. Por, ne mundemi t’i tregojmë gjithë botës se me këtë ata në mënyrë brutale po i shkelin normat juridike ndërkombëtare”, tha Vuçiç në një konferencë për media në ambientet e Agjencisë së Sigurisë Ushtarake (VBA).
Ditë më parë, presidenti i Serbisë e ka cilësuar si “zhgënjim të madh” njoftimin e SHBA-së se miratoi kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit amerikan Javelin, pasi një gjë e tillë iu bë e ditur nga ambasadori amerikan Christopher Hill.
E sot si kundërpërgjigje ndaj vendimit amerikan, Vuçiç ka thënë se Serbia këtë vit do të shpenzojë afër 740 milionë euro për pajisjet ushtarake.
“Serbia aktualisht ka 186 milionë euro mjete të lira, të cilat do t’i shpenzojë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase”, tha Vuçiç.
Siç tha ai, gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me 150 milionë e 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë.