150 grabitje në Spanjë, çmontohet banda, dy liderët shqiptarë kapen në tentativë për t’u arratisur në Shqipëri

Policia spanjolle ka çmontuar një bandë grabitësish të dyshuar për të paktën 150 ngjarje të ndodhura në Spanjën veriore. Garda Civile ka arrestuar dy drejtuesit kryesorë të kësaj bande kriminale të specializuar në grabitjen e shtëpive si dhe 9 persona të tjerë. Dy drejtuesit ishin gati të fluturonin për në Shqipëri, në vendin e tyre të origjinës, nga Barcelona, kur u kapën dhe u arrestuan, siç raporton El Caso.

Gjatë muajve të fundit, organizata kriminale që drejtonin këta subjekte kreu më shumë se 150 sulme në shtëpi të ndryshme, në zona të izoluara rurale të Aragón, La Rioja, Castilla y León, Cantabria, Asturias dhe Galicia. Deri më tani, autoritetet kanë sekuestruar gjithsej 600 mijë euro objekte të vjedhura gjatë kontrolleve.

Operacionet janë drejtuar dhe kanë origjinën në Barcelonë, vendbanimin në Spanjë të krerëve të kësaj bande kriminale. Në kuadër të operacionit, përveç dy drejtuesve me kombësi shqiptare, janë ndaluar edhe subjekte me kombësi spanjolle, dominikane dhe pakistaneze.

Pasi planifikuan gjithçka dhe u larguan nga Barcelona, hajdutët udhëtuan rreth 500 kilometra për të arritur në vendet e viktimave të tyre. Atje, ata shfrytëzuan të njëjtën ditë dhe kryen dy ose tre grabitje, dhe më pas u kthyen në Barcelonë disa ditë më vonë.

Ata vepronin gjithmonë pasdite dhe natën, dhe grabitjet ndodhën shumë shpejt. Kështu, ata zhveshën shtëpitë nga të gjitha objektet me vlerë ekzistuese. Për sa i përket automjeteve të përdorura, ato ndryshonin vazhdimisht, gjë që e vështirësoi shumë hetimin.


Shtuar 12.01.2024 19:45