Arbër Hoxha është futbollisti më i ri i Dinamo Zagreb. Sulmuesi me origjinë shqiptare shitet nga Slaven Belupo për afro 2 milionë euro, teksa ditën e djeshme u zyrtarizua te ekipi i ri, ku ka firmosur kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
25-vjeçari do të vazhdojë pjesën e mbetur të sezonit duke mbrojtur fanelën e gjigantëve kroatë, ndërsa ka thënë edhe fjalët e para si futbollisti i Dinamos. Hoxha thekson se ka qenë një ëndërr e tij që të tranferohej në Zagreb dhe të luante për këtë skuadër, ndërsa do të bëjë maksimumin e tij për të arritur te suksesi.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që kam arritur marrëveshje me Dinamon dhe jam bërë lojtar i ri i këtij klubi të madh, më të madhin në Kroaci.
Falenderoj ish bashkëlojtarët dhe trajnerin për të gjitha eksperiencat, për gjithçka që më mësuan. Për një kohë të gjatë ishte dëshira ime të luaja për Dinamon, dhe sapo dëgjova se kishte një interesim të klubit për mua, nuk hezitova fare.
Do të bëj të pamundurën për të arsyetuar besimin e klubit dhe për të arritur suksese të shumta dhe momente të paharrueshme së bashku”, ka theksuar sulmuesi. /newsport.al/