I biri u vra me snajper, Sokol Sinomati del nga burgu dhe merr pjesë në varrim

Këtë të martë, Sokol Sinomati, ka dalë nga burgu për disa orë, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të birit Gëzim Sinomataj, i cili u ekzekutua të dielën në mbrëmje, në qytetin e Vlorës.

Siç duket edhe nga këto pamje, ai shoqërohet nga forca të shumta policie.

Sokol Sinomati, ka qenë anëtar i bandës famëkeqe të Gaxhait, e pikërisht aktiviteti kriminal i të atit, është një prej pistave e atentatit ndaj djalit të tij, Gëzimit.

22-vjeçari kishte dalë në ballkonin e shtëpisë së tij në katin e tretë të një pallati në “Hajro Çakërri”, kur u qëllua me një plumb në kokë.

Sinomati dyshohet se u qëllua me snajper nga një ndërtesë përballë.

Pak kohë pas ngjarjes, policia gjeti në flakë makinën e autorëve të dyshuar, identiteti i të cilëve nuk dihet ende.

Gjatë ditës së hënë, policia shoqëroi të paktën 10 persona, kryesisht të afërm të 22-vjeçarit të cilët dhanë dëshminë e tyre në lidhje me ngjarjen.


Shtuar 9.01.2024 11:48