“Largimi nga Egnatia, që tre muaj më parë”, ish-sulmuesi i rrogozhinasve: De Biazi bëri padrejtësi me mua, i çova SMS

Vusal Isgandarli i ka dhënë pak ditë më parë lamtumirën Egnatias, duke iu bashkuar skuadrës së Boluspor në kategorinë e dytë turke. Sulmuesi azer, i afruar me shumë bujë gjatë verës, ka shpjeguar se në fakt kjo lamtumirë nuk ishte e papritur, por e planifikuar prej muajsh me klubin turk.

“Unë mora ofertë nga Boluspr që në verë. Por ajo erdhi pasi kisha arritur akordin me Egnatian. Tre muaj më parë, përfaqësuesit e Boluspor erdhën në Shqipëri për një ndeshje tonën. Më pas bënë ofertën zyrtare. Ksha oferta të tjera nga Turqia, gjithashtu edhe nga skuadra rumune dhe polake. Por vendimin e mora duke u bazuar mbi mundësinë më të madhe për të luajtur.

Boluspori e pagoi Egnatian. Kjo ishte arsyeja pse procesi i transferimit zgjati disi. Jam i lumtur që ata treguan vendosmëri për mua. Transferimi nuk u bë zyrtar deri në momentin e pagesës së shumës.

Unë e kam cilësuar kampionatin shqiptar si një trampolinë. Më besoni që shkova të luaja te Egnatia kryesisht vetëm për të luajtur kundër klubit armen (Ararat Armenia në Ligën e Konferencës). Disa tifozë thonë se Egnatia është kryesuese, duhej të kisha qëndruar atje. Por tifozët nuk i dinë problemet atje. Nuk kishte probleme madhore, më paguanin rregullisht. Megjithatë, kishte vështirësi për shkak të cilësisë së stadiumeve. Edhe gjuha ishte një problem gjithashtu. Disa tifozë mund ta mendojnë transferimin tim te Boluspor një hap mbrapa, por brenda 6 muajsh do t’u vërtetoj që është një hap para”, tha për mediat azere futbollisti i cili ka shënuar 6 gola në kampionatin shqiptar në muajt që qëndroi te Egnatia.

Më pas, ai foli edhe për dëshirën për të luajtur me ekipin kombëtar të Azerbajxhanit dhe shprehu pakënaqësinë ndaj ish-trajnerit të kësaj përfaqësueseje, Xhani De Biazit, i cili nuk e kishte grumbulluar.

“Ndjej keqardhje që nuk jam ftuar në përfaqësuese kur luaja te Egnatia, nëse do të ndodhte do të transferohesha në ndonjë klub tjetër. Nuk e di pse Xhani De Biazi nuk më grumbulloi. Por ishte e qartë që bëri padrejtësi me mua. Megjithatë, ai nuk është më në ekipin kombëtar dhe është e gabuar që të flasësh pas shpinës së tij. Në fakt, unë desha që të dija arsyen nga vetë De Biazi. I shkrova SMS, por nuk m’u përgjigj”, tha ish-sulmuesi i Egantias. /panoramasport/


Shtuar 7.01.2024 15:37