Prej mesditës së djeshme, me urdhër të SPAK, BKH dhe policia janë duke ushtruar kontroll në ambientet e farmacisë “Delta Pharma”, por edhe në disa farmaci të tjera, kryesisht në Tiranë.
Kontrolli vjen në sajë të një hetimi të ri penal, pas indicieve që SPAK ka marrë, ku dyshohet se në kohën kur Ilir Beqaj ka qenë ministër i Shëndetësisë, ka lidhur kontrata klienteliste me këto farmaci.
AlbEu bën me dije se ish-ministri Beqaj, në kohën kur ka marrë detyrën si ministër, përmes modifikimeve të specifikimeve kualifikuese, ka favorizuar pikërisht kompaninë “Delta Pharma”.
Mësohet se në tenderin e organizuar nga Ministria e Shëndetësie në vitin 2014, në periudhën Mars – Prill, pasi u publikuan tenderat, pak ditë më vonë ka dalë një njoftim për modifikim të specifikimeve kualifikuese.
Burimet konfirmojnë se në mënyrë të selektuar për disa lote, është hequr kërkesa për Autorizim Prodhuesi, ndërsa u la për të gjitha lotët e tjerë. Specifikimi është hequr për të gjitha kompanitë Multinacionale si Roche, Pfizer, Sanofi-Aventis, Bayer, Jansen Cilag, Abbvie, përveç Novartis.
Sipas asaj që konfirmon AlbEu, të gjitha kompanitë e kundërshtuan këtë, pasi binte në kundërshtim me ligjin e barnave, ku thuhet se ‘ministri i Shëndetësisë jep leje importi për barna të pa regjistruara’, kur kreu III, pika 2 thotë: Në raste nevojash të shërbimit shëndetësor (për mjekim ambulator dhe/ose spitalor), për barna të cilat nuk kanë asnjë alternativë të ngjashme, e cila ka autorizim për tregtim nga Agjencia, ministri përgjegjës për shëndetësinë autorizon importimin e barnave, për të cilat nuk është lëshuar autorizim tregtimi nga Agjencia, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë që të gjithë barnat në këto lote, ishin të regjistruara. BalkanWeb mëson se ministri nuk e ndërpreu procedurën edhe pas ankimimit, ku kompania fituese për të gjitha lotët ishte “Delta Pharma”, njëherazi dhe distributor i Norvatis, që ishte e vetmja kompani multinacionale që nuk u prek nga këto procedura, duke deklaruar në dokumentet e tenderit se produktin do ta merrni në Turqi.
Edhe pas ankimimit edhe në KPP, si dhe komunikim direkt të kompanive, ish-ministri nuk është tërhequr.
Burimet konfirmojnë se asnjë produkt nuk është importuat direkt nga Turqia, siç është deklaruar në ofertë. Po ashtu, të gjitha produktet janë importuar nga “Delta Pharma Kosovë”, kompania bijë e “Delta Pharma Shqipëri”, pa asnjë dokument shoqërues sipas ligjit, pa certifikatë Origjine, dhe pa certifikatë analize, që janë kushte ligjore edhe për barnat e regjistruara.
Referuar burimeve, pas këtij tenderi, kompania “Delta Pharma”, njëherazi dhe përfaqësuese e Novartis, ka pasur një favorizim në përfshirjen në listën e rimbursimit, pothuajse të të gjitha produkteve, ndërkohë që kompanitë e tjera nuk kanë futur asnjë produkt. Kjo dyshohet se lidhet me faktin se një nga pronaret e “Delta Pharma”, Dorian Sadiku është kunati i shefit të Novartis për Shqipërinë, Kliti Hoti.
Sipas ekstraktit të të QKB, tre anëtarë të familjes Sadiku, janë larguar nga “Delta Pharma”, kjo e fundit ka lidhur kontratë me Novartis. Burimet konfirmojnë se në krye të kësaj të fundit ka qenë dhe është kunati i Dorian Sadikut, i cili është rikthyer në 2023 duke blerë “Delta Pharma”, nëpërmjet kompanisë “Delta Holding”, ku pronarë janë Dorian Sadiku dhe Eduard Curraj.
Sipas dokumentacioneve, rezulton se Dorian Sadiku, (kunati i Kliti Hotit, shef i Novartis), dhe Eduard Curraj zotëronin 50% me 50% të aksioneve të “Delta Pharma”. Në 2023, Curraj i shiti aksionet e tij shtetases polake Ewa Maria Kokot, por vijon të jetë administrator i kësaj kompanie.