Përafrim i legjislacionit me Inteligjencë Artificiale?

Sa i përket modelit të përafrimit të legjislacionit të BE-së në Shqipëri përmes Inteligjencës Artificiale, Komisioni Europian shpreh rezerva.

Komisioni tha për Faktoje se përdorimi i aplikacioneve, nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë njohuritë dhe ekspertizën që vendet kandidate duhet të ndërtojnë.

Njohës të çështjeve të integrimit në Shqipëri, edhe pse e vlerësojnë inovacionin, shpjegojnë se sfida e Shqipërisë në këtë proces mbetet tek zbatueshmëria e ligjeve.

Esmeralda Topi

Zhvillimi i inteligjencës artificiale në masë gjatë vitit të fundit, ka sjellë mundësi që shpesh shkojnë përtej imagjinatës.

Ashtu ishte edhe modeli që Kryeministri Edi Rama i prezantoi shqiptarëve në Kongresin e Partisë Socialiste më 8 dhjetor.

Dua ta ndaj me ju, që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbarojë mbledhja bashkë me dilemën greke, unë do tua lë si kartolinë të Vitit të Ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të Bashkimit Europian rezultatin e testit të suksesshëm të modelit shqiptar të inteligjencës artificiale për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve, masa ligjore të BE-së”, deklaroi kryeministri Edi Rama,  nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste këtë fillim dhjetori.

Deklarata u bë një javë përpara se Kryeministri të nisej drejt Brukselit, ku u mbajt  Samiti i Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Modeli i Inteligjencës Artificiale, siç shpjegoi Rama, ishte punuar nga një skuadër e përbashkët mes AKSHI-t dhe Mira Muratit, shqiptares së famshme që krijoi aplikacionin Chat GPT.

Dhe sikurse u zotua, Rama u shfaq në Bruksel me dosjen e modelit shqiptar të përdorimit të inteligjencës artificial, për përkthimin dhe harmonizimin e legjislacionit me BE-në në kuadër të procesit të anëtarësimit.

 

Më 13 dhjetor, në profilin e tij zyrtar në facebook, kryeministri ndau me ndjekësit një fotografi ku shfaqej me një dosje, në të cilën shkruhej:

‘Shqipëria përdor Inteligjencën Artificiale për të ndërtuar lidhje me Evropën’

Me ardhjen në Tiranë më 14 dhjetor, pas Samitit, Rama tha:

“Kam informuar, me shumë krenari për hir të vërtetës, Samitin për modelin tonë të ri revolucionar, inovativ të Inteligjencës Artificiale me të cilin ne do të bëjmë ndërvendosjen e 3484 masave të organizmit ligjor të BE-së në legjislacionin tonë”.

Modeli shqiptar i AI në sytë e Brukselit

Rama e ka prezantuar përdorimin e ChatGPT-së për përafrimin e legjislacionit si një shkop magjik që do të na kursejë kohë, njerëz dhe para në këtë hap teknik të procesit integrues. Por ana tjetër e medaljes i takon Brukselit. Për të mësuar se si e vlerëson këtë nismë, revolucionare siç deklaron Rama, Faktoje iu drejtua me një kërkëse për informacion Komisionit Europian, i cili shpreh rezerva lidhur me modelin e përafrimit të legjislacionit të BE-së në Shqipëri përmes Inteligjencës Artificiale. Komisioni shpjegoi për Faktoje se përdorimi i aplikacioneve nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë njohuritë dhe ekspertizën që vendet kandidate duhet të ndërtojnë.

“Përsa i përket përdorimeve specifike të AI, ndërsa potencialisht ato mund të kenë një kontribut pozitiv në detyra të tilla si përkthimi dhe krahasimi i legjislacionit, këto aplikacione me siguri nuk do të jenë në gjendje të zëvendësojnë plotësisht njohuritë dhe ekspertizën që vendet kandidate duhet të ndërtojnë, jo vetëm për t’u përafruar plotësisht me acquis të BE-së, por edhe për të qenë në kapacitet për ta zbatuar atë deri në momentin e anëtarësimit”, u përgjigj për Faktoje një zëdhënës i Komisionit.

Ndërkohë, Agjencia për Media dhe Informim e la pa përgjigje pyetjen tonë lidhur me modelin e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama për përdorimin e Chat GPT-së në procesin e integrimit.

Zbatimin e ligjeve nuk e zëvendëson asnjë teknologji!

Krahas të mirave që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin mekanik të përshtatjes së legjislacionit, studiuesit adresojnë edhe disa problematika.

“Procesi i përafrimit në BE nuk është proces formal që nis dhe mbaron me shkrimin e akteve, por thelbi është në jetësimin dhe zbatimin e tyre”, thotë studiuesi Afrim Krasniqi, teksa shton se përpjekja e qeverisë për ta paraqitur si fakt bëhet për të krijuar idenë e inovacionit në qeveri, më shumë se sa një rezultat konkret.

Nga ana tjetër, edhe Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane për Shqipërinë” vlerëson se problematika kryesore në përafrimin e legjislacionit më shumë qendron në zbatimin, se sa në hartimin e tij.

“Kjo është pjesa kryesore e reformave të kërkuara dhe sfida më e madhe për shoqërinë shqiptare, që përfshin, ndërtimin dhe forcimin e institucioneve, rritjen e kapaciteteve njerëzore, financimin e qëndrueshëm dhe vullnetin e qartë politik“, thotë ai duke theksuar se kjo është sfida më e madhe që ka përpara Shqipëria./faktoje/


Shtuar 19.12.2023 15:07