Paralajmëron Shtëpia e Bardhë: Sulmi bërthamor i Koresë së Veriut ndaj SHBA-së i jep fund të regjimit të Kimit

Uashingtoni ka paralajmëruar të shtunën Korenë e Veriut që çdo sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara do të rezultonte me “fund të regjimit të Kimit”.

Në një deklaratë të përbashkët të Grupit Konsultues për Çështje Bërthamore SHBA-Kore e Jugut, është rikonfirmuar se çfarëdo sulmi i Phenianit ndaj Koresë së Jugut do të rezultojë me përgjigje të shpejtë dhe vendimtare.

“Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan përkushtimin e palëkundshëm për të ofruar mbrojtje shtesë për Republikën e Koresë, përfshirë kapacitetet e plota të SHBA-së”, është thënë në një deklaratë të publikuar prej Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë paralajmërim të ngjashëm në prill, duke thënë se cilido sulm i Koresës së Veriut do të nënkuptojë fundin e Qeverisë së Phenianit.

Deklaratë të njëjtë ka bërë edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke thënë se regjimi i Kimit do të marrë fund edhe nëse sulmohen aleatët e SHBA-së.

Koreja Veriore e ka shpallur veten fuqi bërthamore një vit më parë, dhe ka thënë vazhdimisht se nuk do të heqë dorë kurrë prej programit bërthamor, të cilin regjimi e sheh si thelbësor për ekzistencë.

Muajin e kaluar, Pheniani e ka nisur me sukses një satelit ushtarak spiunimi në orbitë.

Qysh atëherë, verikoreanët pretendojnë se kanë siguruar pamje prej satelitëve, të bazave të mëdha ushtarake amerikane dhe jugkoreane.


Shtuar 16.12.2023 17:03