Makina Kozak Braçit, një nga personazhet e njohur të “TikTok” është djegur dy javë më parë. Policia ka zbuluar autorët e djegies së makinës.
Sipas forcave të rendit, porositës i djegies së makinës është reperi tjetër, Kleviol Ahmeti, i cili ka paguar për të djegur makinën e Kozak Braçit.
Ahmeti mësohet se ka dhënë 1500 euro që dy autorë ti vendosin flakën makinës së personazhit të Tik Tok.
“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi K. A., ka paguar shumën 1500€ për të djegur automjetin e shtetasit K. B., ndërsa dy të arrestuarit, së bashku me shtetasin E. N., kanë siguruar kushtet, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur automjetin”, thekson Policia.
Tiranë
Dogjën një automjet, kundrejt një shume parash, identifikohen dhe vihen në pranga dy autorët e dyshuar. Njëri prej tyre, i arrestuar dhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre, si dhe një 37-vjeçar që porositi djegien e automjetit.
Sekuestrohen veshjet që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, dhe automjeti me të cilin janë larguar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 02.12.2023, ku në Allias, është djegur automjeti i shtetasit K. B., kanë thelluar veprimet hetimore, për sqarimin e rrethanave dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.
Në lidhje me këtë rast u bë dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i dy prej autorëve të dyshuar, shtetasve D. L., 40 vjeç, dhe M. L., 18 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. N., 24 vjeç, banues në Vlorë, dhe porositësi i djegies së automjetit, shtetasi K. A., 37 vjeç, banues në Lushnjë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi K. A., ka paguar shumën 1500€ për të djegur automjetin e shtetasit K. B., ndërsa dy të arrestuarit, së bashku me shtetasin E. N., kanë siguruar kushtet, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur automjetin.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi M. L., është arrestuar dhe më parë, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshjet që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe automjeti me të cilin janë larguar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.