Ekzekutoi Arben Lleshin në qelinë e burgut, policia bastis shtëpinë e Sokol Mjacajt

Hetuesit kanë bastisur banesën e Sokol Mjacajt në Dukagjin. Ata kanë shkuar në veri të vendit, ku kanë kontrolluar banesën ku jetojnë të afërm të tyre, si dhe kanë shoqëruar këta të fundit, për ti marrë në pyetje.

Lidhur me armën e krimit të përdorur nga Mjacaj, burime bëjnë me dije se ajo është futur me një pajisje mikrovale apo për kalimin e saj, të jetë marrë rryshfet nga punonjës burgu.

Kishte 20 ditë që Sokol Mjacaj qëndronte në të njëjtin sektor me Arben Lleshin, njëri në katin e parë (Lleshi) dhe tjetri në të dytin.

Mjacaj kishte qenë në të njëjtën qeli me Fran Marashin, i cili vuan dënimin e përjetshëm për masakrën e Kuçovës, por që së fundmi është rikthyer për hetim dosja e tij nga e para.

Në qelinë e Marashit e Mjacajt, u zbulua një telefon, ndërsa mes tyre pati përplasje por mbetet për tu zbuluar nëse ishte reale, apo e planifikuar pasi nisën të akuzojnë njëri-tjetrin si posedues të telefonit.

Në këto kushte Marashi ata u ndanë duke i futur në ambientet speciale bis.

Mjacaj qëndroi disa kohë aty dhe para 20 ditësh kaloi në sektorin ku qëndroi deri dje.

Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon 12 personave të ndaluar, mes tyre drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha dhe akuzat ndaj tyre.

Ndërkohë u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.

Njoftimi i policisë:

“DVP Elbasan

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, në IEVP Peqin, ku shtetasi Sokol Mjaçaj vrau me armë zjarri, shtetasin Arben Lleshi, plagosi shtetasin Indrit Shaqja (të tre këta shtetas vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin), i cili është aktualisht në kujdesin e mjekëve, si dhe kanosi me këtë armë, punonjësit e shërbimit në këtë IEVP, ju informojmë se:

Nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u ekzekutua urdhri i prokurorit, për kryerjen e arrestimit në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, të shtetasit Sokol Mjaçaj, 2- vjeç.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të shtetasve:

-K. H., 59-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IEVP Peqin;

-Q. M., 60-vjeç, banues në Elbasan, me detyrë shef i Policisë së IEVP Peqin;

-N. Gj., 54-vjeç, banues në Tiranë, ish-shef i Policisë së IEVP Peqin;

-V. Sh., 37-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef regjimi në IEVP Peqin;

-A. D., 52-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist i informacionit në sallën operative të IEVP Peqin;

-I. B., 46-vjeç, banues në Peqin, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-F. M., 43-vjeç, banues në Lushnje, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-F. P., 50-vjeç, banues në Belsh, polic shërbimi i IEVP Peqin;

-G. M., 49-vjeç, banues në Lushnjë, punonjës policie i IEVP Peqin;

-K. H., 44-vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin;

-E. Ç., 36-vjeç, banues në Belsh, punonjës policie i IEVP Peqin;

-I. D., 41-vjeç, banues në Peqin, punonjës policie i IEVP Peqin.

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, si dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm

Elbasan, vijojnë hetime intensive për të individualizuar përgjegjësinë penale të shtetasve të ndaluar, si dhe për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshm”, thuhet në njoftim.


Shtuar 16.12.2023 12:38