Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e djeshme në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, ku humbi jetën Arben Lleshi, i cili u ekzekutua nga Sokol Mjacaj.
Dyshohet se arma është futur e plotë dhe dorazi dhe Sokol Mjacaj ka deklaruar, se nuk e di se si ka arritur arma e krimit, në dorën e tij.
Një pjesë e kamerave të sigurisë dhe skaneri në burgun e Peqinit nuk punonin prej shumë kohësh dhe janë rregulluar ditët e fundit.
Burime nga grupi hetimor, thonë se janë ndaluar 13 persona pjesë e stafit të burgut, që nga drejtori e gjithë zinxhiri komandues.
Mësohet se Sokol Mjacaj, kishte mundur të siguronte pistoletën me mulli rreth dy muaj më parë, por e ka mbajtur të fshehur.
Kjo është pranuar nga deklaratat paraprake të tij.
Dyshimet janë se ndryshe nga sa pretendon Mjacaj, vrasja të jetë bërë me pagesë.