Gëzim Çela, i njohur si “baroni” i drogës, është arrestuar në Kosovë.
Çela akuzohet për trafik droge dhe grup kriminal.
Më 9 tetor 2023, SPAK ndërmori një megaoperacion në disa qytet të vendit. Fpra të shumta policie blinduan Fushë Kuqen dhe rrethuan shtëpinë dhe lokalin e Gëzim Çelës.
Operacioni u shtri në Tiranë, Krujë, Durrës, Vlorë dhe Kurbin dhe mes të arrestuarve ishte shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Meta.
Operacioni i 9 tetorit, ishte vijimësi e megaoperacionit të koduar “Flakë në det” ku u arrestuan 6 persona.
1-Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;
2-Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;
3-Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;
4-Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;
5-Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;
6-Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
Kush është Gëzim Çela?
Gëzim Çela, banues në Kurbin, i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”, është një nga tre personat, që Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar më 5 qershor 2020 formularin e vetë-deklarimit të pasurisë.
Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.
Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.
Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentin se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”.
Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.
Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997./Albeu.com