Akuza për grup kriminal dhe trafik kokaine nga Amerika Latine, Erzen Breçani dhe të tjerët nesër para Gjykatës

Ish-nëndrejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefi i krimeve Dedan Gjoni dhe oficerja e kufirit Jonida Babameto do të jenë nesër në Gjykata.

Seanca do të mbahet në orën 09:30.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.11.2023 ka paraqitur përpara Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personave nën hetim Erzen Breçani, ish-zv/drejtori i Sigurisë në Policinë e Tiranës, Dedan Gjoni, Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Bujar Ajezi (Gërmizi), emër i njohur i botës së krimit në Kukës dhe Besmir Murati. Bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje do të zhvillohet në datë 23 nentor 2023 ora 09:30” thuhet në njoftim.

Zbërthimi i aplikacionit SKY ECC çoi në goditjen e një grupi kriminal që rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri pjesë e së cilës dyshohen se janë zyrtarë të policisë dhe ish zyrtarë.

Të arrestuar janë  Erzen Bercani,  Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti.

Në kërkim u shpallën shtetasit Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga,Bajram Grabova, Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit dhe Ervin Mata.

Ndërsa për oficeren e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, Jonida Babameto, u vendos masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Ndaj tyre rëndojnë 7 akuza

1- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “

2- Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,

3-“Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,

4-“Trafikimi i narkotikëve”,

5-“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,

6- “Grupi i strukturuar kriminal”,

7- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Çfarë tha SPAK 

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

  • Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
  • Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
  • Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
  • Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;
  • Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;
  • Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;
  • Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
  • Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre.

Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.

Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të OrganizuarGjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.124, datë 17.11.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit I.Z, B.A, D.Gj, E.B, B.M, A.S, A.P, B.G, E.B, E.M dhe masën e sigurimit personal për shtetasen J.B.

Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023, për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme./albeu.com


Shtuar 22.11.2023 14:41