Merret në mbrojtje zona ku u gjet mozaiku i rrallë në Durrës

Në qytetin e Durrësit Ministria e Kulturës mori në mbrojtje një zonë ku mesin e tetorit të këtij viti u zbulua një mozaik i rrallë.

Mozaiku doli në dritë kur po hapeshin themelet e një shkolle të mesme e cila do të rindërtohej pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të katër viteve më parë.

Arkeologu Luan Përzhita thotë se mozaiku është në gjendje mjaft të mirë me një sipërfaqe mbi 60 metër katrorë.

“Jemi fatlum pasi mozaiku i zbuluar është në një gjendje shumë të mirë. Ai ka zbukuruar territorin e një vile luksoze, në afërsi të amfiteatrit të Durrësit dhe si kohë datimi mendojmë se është diku nga fundi i shekulli I para Krishtit dhe fillimi i shekulli I pas Krishtit. Sot flasim për atë që njohim, por mbase zhvillimet e ardhshme do të kenë një datim më të saktë të këtij mozaiku. Në vetvete mozaiku është i tillë, i veçantë , edhe për qytetin e Durrësit dhe për Shqipërinë dhe është pjesë pasurisë së mëtejshme të kësaj trashgimie antike që i shtohet qytetit aq të njohur si ka qenë në antikitet qyteti i Dyrrahut”.

Zoti Përzhita thotë më tej se zona mbart vlera arkeologjike por është prekur edhe nga ndërtimet ndër vite.

“Është shumë shpejt për të folur. Ajo që ne dimë është se këtu ka qenë ndërtuar shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në vitet 1960-1970. Po ashtu në këtë zonë në vitet dyzetë është ndërtuar një bunker i madh nga forcat italiane. Këto ndërtime, me sa kemi parë ne, kanë bërë dëmtime herë pas here të strukturave arkeologjike që ndodhen në këtë territor. Është dhe një qoshe e shkollës që lidhet me pjesën e mozaikut që ka pasur themelet në këtë pjesë”.

Gërmimi arkeologjik në zonë është i brishtë por bashkëpunimi i strukturave si shtetërore dhe vendore por edhe i sipërmarrjes që punon për rindërtimin e shkollës është mjaft i mirë, thotë Maringlen Meshini arkeolog në Sektorin e Arkeologjisë së Shpëtimit.

Jemi në kushtet optimale ku paralel me projektin ne kemi të gjitha mundësitë për të realizuar edhe gërmimin arkeologjik të shpëtimit, i cili është vetëm një nga fazat e këtij procesi.Pasi të realizohet gërmimi arkeologjik do të shikojmë të gjithë situatën në një kontekst të gjerë se si qëndrojnë këto gjetje arkeologjike, këto zbulime ,vetë mozaiku pore dhe objektete tjera në raport me projektin dhe më pas do të kemi një vendimmarrje tjetër për ardhmërinë e kësaj zone.

Zoti Meshini thotë më tej se zbulimi është një ndër kartolinat e ardhshme të turizmit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare .

“Për vetë natyrën që ka ky zbulim, për përmasat, për cilësinë mbi të gjitha dhe për atë që ai përfaqëson në kontekstin ku ndohet le të themi që paraprakisht kemi të bëjmë me një kartolinë të turizmit dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare”.

Ndërsa zoti Përzhita thotë se jo vetëm mozaiku por edhe gjetjet e tjera arkeologjike pritet të sjellin më shumë informacion për këtë zonë.

Nëntoka e Durrësit sjell herë pas here zbulime të reja arkeologjike por mbingarkesa e ndërtimeve në jo pak raste ka dëmtuar duke cënuar periudha të ndryshme historike të zhvillimit të qytetit të lashtë. /VOA


Shtuar 19.11.2023 18:47

Tags: ,