VIDEO/ Droga e fshehur poshtë tapicerisë, momenti kur zbulohen 33 kg kanabis në makinën e 37-vjeçarit nga Kosova

Policia e Shtetit ka goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Kosovës.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Prokurorinë e Kukësit kanë sekuestruar 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe automjetin tip “Peugeot” me të cilin transportohej lënda.

Në pranga ka rënë një 38-vjeçar nga Kosova i cili transportonte lëndën narkotike të ndarë në pako.

Gjithashtu në Kosovë janë kapur dy prej të dyshuarve si organizatorë të sigurimit dhe të trafikimit të lëndës narkotike.

Tre persona të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

“Gjatë operacionit, në dalje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi J. K., 38 vjeç, banues në Gjakovë, pasi nga kontrolli në automjetin tip “Peugeot” që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Sasia e lëndës narkotike, e ndarë në disa pako, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 38-vjeçarit”, njofton policia.

Nga hetimet rezultoi se shtetasit J. K., automjetin së bashku me lëndën narkotike, ia kishin dhënë në Morinë, shtetasit G. M., nga Kosova, dhe A. A., nga Maqedonia e Veriut. Shtetasi J. K., kundrejt pagesës, do ta kalonte lëndën narkotike, në Kosovë, nëpërmjet PKK Qafë Prush.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, u bë e mundur kapja në Kosovë, e shtetasve G. M. dhe A. A.

Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se në këtë rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, janë të përfshirë dhe 1 shtetas maqedonas dhe 2 shtetas serbë. Në bashkëpunim me policitë homologe, vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.


Shtuar 14.11.2023 11:29

Tags: