Deputeti demokrat Edmond Spaho nuk është lejuar nga Garda e Republikës që të hyjë në Kryesinë e Kuvendit.
Ai është paraqitur sipas njoftimit të Gazment Bardhit në Kryesi, por Garda nuk e ka lejuar të kalojë pasi Spaho vazhdon të jetë i përjashtuar nga jeta parlamentare pas vendimit të Etikës.
Ditën e djeshme Bardhi lajmëroi deputetët demokratë për mbledhjen.
“Të nderuar kolegë, Nesër, e hënë, ora 12:00, mbledhje e grupit në sallën e grupit në Kryesinë e Kuvendit. Ju falenderoj”, thuhej në mesazhin e Bardhit.
Aktualisht janë 6 deputetë të përjashtuar të cilët nuk do të lejohen të marrin pjesë në mbledhje. Përjashtimi i tyre erdhi pas tensioneve të krijuara në seancën e fundit plenare.
Saimir Korreshi, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Ervin Salianji, Petrit Doda dhe Edmond Spaho janë përjashtuar me vendim të Komisionit të Etikës.
/albeu.com