Milan ngec në “San Siro”, Udinese i gëzohet fitores së parë sezonale

Udinese shijon triumfin e parë sezonale dhe atë e bën në “San Siro” në transfertën e Milan, me ekipin e Piolit që pas javës së 11-të të Serie A numëron tre takime radhazi pa fitore.

Ky takim rezultoi shumë i vështirë për Milanin, që pavarësisht tentativave nuk ia doli që të gjente “recetën” e golit.

Ndërsa Udinese nga ana tjetër ia doli që të gjente rrugën drejt rrjetës në minutën e 61’, me Pereyran që shënoi nga pika e bardhë, penallti të cilën miqtë e fituan pas një ndërhyrjeje të gabuar të Adli ndaj Ebolese-s.

Në minutën e 90’ Milan pati mundësinë për të barazuar, pasi Leao krosoi topin në zonë për Giroud, me sulmuesin francez që goditi me shpatull, por u ndal nga Silvestri.

Në shtesë u duk sikur Milani “u zgjua nga gjumi”, por në këto momente u duk sikur fati nuk ishte në anën e “kuqezinjve” që pavarësisht tentativave, teksa portieri Silvestri bëri heroin në disa momente për Udinesen.

Në fund takimi u mbyll me rezultatin 0-1, me Milan që nuk po ia del të rikthehet te fitorja dhe pas javës së 11-të renditet në vend të tretë me 22 pikë.

Udinese nga ana tjetër siguroi fitoren e parë të këtij sezoni dhe në vend të 16-të me 10 pikë.


Shtuar 4.11.2023 22:52

Tags: