Avokati i Florenc Çapjas, Neshat Fana ka bërë me dije se klienti i tij ka kërkuar azil politik në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një intervistë, Fana ka konfirmuar lajmin e arrestimit të tij në Dubai.
Po ashtu, ai shton se i riu nga Elbasani ka leje qëndrimi për në Dubai dhe ka kërkuar azil politik, ndërsa autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.
“Florenc Çapja ka paraqitur arsye të besueshme se urdhërarresti për të është arbitrar. Florenc Çapja ka 12 vite që hetohet, nuk ka prova që e implikojnë në vrasje. Shqipëria prej disa ditësh ka nisur procedurat e kërkesës për ekstradim. Por Florenc Çapja ka leje qëndrimi në Dubai, ka kërkuar azil politik,”- avokati i Florenc Çapjas.
Çapja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se është porositësi dhe organizatori i vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit. Ndërkohë që në burg për vrasjen e dyfishtë, në pritje të përfundimit të hetimeve, është xhaxhai i tij, Ardian Çapja, ndërsa për Florencin, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Ai raportohet se është prangosur më 27 maj, por lajmi u konfirmua për autoritetet shqiptare dy ditë më pas. /raport tv