Shtyhet sërish seanca për Sali Berishën në GJKKO

Seanca e marrjes në pyetje në GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha është shtyrë sërish.

Seanca e cila nisi në orën 10:00 të ditës së sotme, 26 tetor, është shtyrë për në orën 15:00.

Berisha akuzohet nga SPAK se është përfshirë në korrupsion pasiv lidhur me privatizimin ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.

Sakaq, më herët u caktuan dhe dy avokatet e shtetit që do përfaqësojnë Berishën në këtë proces gjyqësor.

Bëhet fjalë për Rabie Cenalia dhe Jalldiz Kastrat.

Lexo edhe: EMRAT/ Do përfaqësohet nga dy zonja, kush janë avokatet që do mbrojnë Berishën

Njëra prej tyre, Kastrati rezulton të ketë qenë dikur kandidate për deputete e LSI, sot Partia e Lirisë, me kryetar Ilir Metën.

Ditën e djeshme, Gjykata i caktoi Berishës avokatin Artan Simoni të cilin e zëvendësoi pak orë më vonë.

Shkak i vendimit u bë një postim i bërë më herët nga Simoni në rrjetet sociale.

GJKKO, vendosi sot dy emrat e sipërcituar. “Me kërkese te Prokurorisë, me qellim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zëvendësoi avokatin Artan Simoni me avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë të njihet me aktet. Seanca do të zhvillohet në datën 26.10.2023 ora 10am.”, thuhej në njoftimin e djeshëm të GJKKO-së./Albeu.com


Shtuar 26.10.2023 11:14