Pas takimit “kokë më kokë” me Begajn, Macron konferencë me Ramën në kryeministri

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili mbërriti në vendin tonë pasditen e djeshme, 16 tetor, do të zhvillojë një takim me homologun e tij, Presidentin Begaj.

Mes dy presidentëve do të ketë një takim “kokë më kokë”, takim i cili do të fillojë në orën 08:35.

Më pas, Macron do të takohet me kryeministrin Edi Rama. Takimi në fjalë është përcaktuar, sipas axhendës në orën 10:30 në Kryeministri. Mësohet se Rama dhe presidenti Macron do të nënshkruajnë marrëveshjet ekonomike dhe bashkëpunimi mes dy vende. Ndërkohë, në orën 11:30 do të zhvillohet konferenca për shtyp me mediat. Presidenti francez, Emanuel Macron, e nisi vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, me dorëzimin e dekoratës më të lartë të Republikës së Francës për shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Thuajse 1 orë pas mbërritjes së tij në vend, është pritur me ceremoni në Pallatin e Brigadave, ku i dorëzoi shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, dekoratën më të lartë të Republikës së Francës “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.

Macron humbi punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, pasi shtyhu vizitën e tij me disa orë, edhe pse më herët e kishte konfirmuar pjesëmarrjen. Shkak i shtyrjes u bë një sulmi terrorist në Arras (Francë) ku mbeti i vrarë një mësues dhe për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Vizita e Macron është historike, pasi është hera e parë që një president francez viziton zyrtarisht Shqipërinë./Albeu.com 


Shtuar 17.10.2023 08:26