Kryeministri Edi Rama ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat ku është shprehur se Bashkimi Evropian duhet të dalë me një deklaratë të dytë, ku të dënojë sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një efektiv dhe u plagosën dy të tjerë.
Rama vuri në dukje se Serbia shpalli ditë zie për terroristët që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit, kur duhej të ishte distancuar nga grupi kriminal dhe të shpallte nisjen e hetimit.
“Kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz, si asnjëherë më parë në këto 10 vjet, për rrezikshmërinë e sigurisë në Kosovë. E dëgjuam zëdhënësin e Brukselit, se nuk mund të ketë deklaratë të dytë pa pritur hetimet. Do ishim dakord nëse Serbia do ishte distancuar nga grupi kriminal dhe do të kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur. Por fatkeqësisht, Republika e Serbisë zgjodhi nderimin duke shpallur 1 ditë zie kombëtare. Çfarë hetimi pret BE? Nga kush? Nga organet e drejtësisë në Kosovë? Sigurisht do ishim dakord, por nuk e dëgjuam ta thonte këtë zëdhënësi Brukselit. A mos po heton vetë BE në mënyrë të njëanshme dhe të pavarur? Por as këtë nuk e dëgjuam nga zëdhënësi.
Sikur ta dëgjonim këtë, do lehtësoheshim në këtë drejtim. Çdo hetim i mundshëm dhe i imagjinueshëm, nuk i ndryshon këto fakte të thjeshta, për t’u klasifikuar si fakte në kundërshtim ekstrem, dhe për t’u dënuar si të tilla nga BE, ku jemi shpirtërisht dhe duam të jemi zyrtarisht”, theksoi ai.