Bardhi, letër Nikollës: Jam gati të ulem me PS-në për Avokatin e Popullit

Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar një letër Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla në emër të Grupit të PD lidhur me përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ai ka kërkuar një proces dialogu transparent midis mazhorancës dhe opozitës dhe për këtë thekson se është gati për t’u ulur dhe për të negociuar me palën socialiste.

“Me qëllim që procedura kushtetuese të jetë sa më transparente për publikun dhe dialogu parlamentar ndërmjet palëve të jetë i bazuar në një metodologji dhe kritere të qarta që synojnë arritjen e konsensusit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon ndërtimin e një procesi transparent dhe demokratik për përzgjedhjen e një kandidature dinjitoze për funksionin kushtetues të Avokatit të Popullit, me lehtësimin e kryetares së Kuvendit” shkruan Bardhi.

Por a do ta marrë Nikolla letrën në konsideratë? Kjo mbetet për t’u parë pasi seanca e djeshme ishte e mbushur me tension dhe debate për shkak se Nikolla po shkon drejt njohjes së Lulzim Bashës si kryetar grupi të PD-së, i cili ka deleguar këtë post tek Flutura Açka.


Shtuar 15.09.2023 14:35