Dridhjet dhe goditjet katastofale në Tokë, çfarë duhet të dini për tërmetet

Në orën 23:11 të 8 shtatorit 2023, me orën lokale, një tërmet me magnitudë 6.8 ballë goditi Marokun. Numri ende i përkohshëm i të vdekurve është mbi 2500 të vdekur dhe mijëra të plagosur rëndë. Epiqendra e lëkundjes, e cila zgjati 30 sekonda, ishte në jugperëndim të Marrakech, në një thellësi prej 18.5 kilometrash. Tërmeti i fundit i fortë me magnitudë 3.9 u regjistrua mëngjesin e 10 shtatorit.

Ne ende nuk mund t’i parashikojmë tërmetet, por revista italiane Focus.it ka publikuar disa kuriozitete rreth këtyre ngjarjeve shkatërruese natyrore, të afta për të gjeneruar në pak sekonda energji më të madhe se ajo që rrjedh nga mijëra bomba atomike.

1 – KUR NDODHIN TËRMETET? Një tërmet ndodh kur çahen shkëmbinjtë që formojnë koren e tokës, pasi u nënshtrohen sforcimeve që vijnë nga lëvizjet e pllakave tektonike mbi të cilat shtrihen. Kur këto forca tejkalojnë kufirin e rezistencës së vetë shkëmbinjve, ato plasariten, duke çliruar energji në formën e valëve sizmike.

2 – ÇFARË JANË VALËT SIZMIKE? Ato janë lëkundje të fuqishme që përhapen nën tokë. Ka dy lloje: valët P (të parat), të cilat kalojnë nëpër shkëmbinj në të njëjtin drejtim në të cilin udhëtojnë, duke i ngjeshur dhe zgjeruar si fizarmonikë, dhe valët S (të dytat), të cilat veprojnë në mënyrë ortogonale me tokën, duke e bërë atë të valëzuar.

3 – SI MATEN? Shkalla e Rihterit mat magnitudën e një tërmeti, pra energjinë elastike të çliruar; shkalla Mercalli që është përdorur në të kaluarën vlerëson intensitetin e saj duke ekzaminuar efektet në mjedis, në objekte dhe te njerëzit. Tani përdoret vetëm i pari, sepse jep indikacione të qarta, ndërsa i dyti ndryshon në bazë të vendndodhjes së tërmetit. E rëndësishme: shkalla e Rihterit është eksponenciale me një faktor 30. Kjo do të thotë se në krahasim me një tërmet me magnitudë 1.0, një tërmet me magnitudë 2.0 është tridhjetë herë më i fortë, ndërsa ai me magnitudë 3.0 është 30 x 30 = 900 herë, një tërmet me magnitudë 4.0 do të jetë 27,000 (30 x 30 x 30) herë.

4 – CILI KA QENË TËRMETI MË I FUQISHËM I REGJISTRUAR NDONJËHERË? Ai që goditi Kilin Qendror në orën 14:11 më 22 maj 1960, arriti 9,5 gradë magnitudë dhe tronditja u ndje edhe në Japoni dhe Evropë. Në Itali, rekordi i trishtuar shkon te tërmeti 7.2 që goditi ngushticën e Mesinës më 28 dhjetor 1908, duke shkaktuar mbi 100.000 viktima.

5 – ÇFARË JANË DHE SI LLOGARITET HIPOQENDRA DHE EPIQENDRA? Pika e thyerjes quhet hipoqendër, ndërsa korrespondenti i saj ortogonal në sipërfaqe është epiqendra. Për të marrë të dhënat e thellësisë së të parës është e nevojshme të studiohet përhapja e valëve P dhe S.

6 – SA ZGJAT NJË TËRMET? Kohëzgjatja nuk mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme. Ajo varet nga madhësia, distanca nga hipoqendra dhe gjeologjia e tokës. Megjithatë, ekzistojnë dy mënyra për të menduar për kohëzgjatjen e një tërmeti. Mund të merret parasysh koha e nevojshme për çarjen, ose periudha e lëkundjes së ndjerë në një pikë të caktuar.

7 – A MUND T’I PARASHIKOJMË ATO? Jo. Është zbuluar ekzistenca e disa “pararendësve sizmikë”, por janë të pamundur për t’u monitoruar. Ato kanë të bëjnë me emetimin e elementeve kimike radioaktive nga nëntoka (si radoni), ndryshimet në pozicionin dhe elektromagnetizmin e shkëmbinjve, analizën e mikro-tërmeteve që mund t’i paraprijnë një ngjarjeje më të madhe.

8 – A ËSHTË E VËRTETË QË KAFSHËT I DËGJOJNË FILLIMISHT? Ka studime që përshkruajnë sjellje të pazakontë të kafshëve kur afrohet një tërmet. Megjithatë, është e vështirë të konfirmohet se, ndërsa afrohet një tërmet, ka sjellje reale parashikuese nga vetë kafshët. Por nuk përjashtohet që ata të jenë në gjendje të perceptojnë valët që mund t’i paraprijnë një goditjeje të dhunshme dhe që nuk janë të dallueshme nga njeriu, ose ndryshimet në rrjedhat e ujit nëntokësor ose lëshimin e gazit nga toka.

9 – CILAT JANË ZONAT MË TË RREZIKUARA? Së pari ato të “unazës së zjarrit”, unazës që ndjek perimetrin e dy pllakave më aktive, Paqësorit dhe Nazca-s, dhe që shkon nga Kili në Zelandën e Re duke kaluar përmes Amerikës, Japonisë dhe arkipelagut juglindor të Azisë. Europa Jugore (Italia, Greqia dhe Turqia), Lindja e Mesme dhe Himalajet janë gjithashtu zona të rëndësishme sizmike.

10 – A MUND TË SHKAKTOHEN NGA NJERËZIT? Në disa raste po, por nëse përjashtojmë ato të krijuara nga shpërthimet atomike, ato janë pothuajse të padukshme. Sizmografët janë në gjendje t’i zbulojnë ato. Disa shkaktohen nga nxjerrja e naftës, të tjera, madje, nga ekzaltimi i tifozëve brenda një stadiumi.


Shtuar 13.09.2023 20:53

Tags: , ,