Mbrëmja e sotme mund të rezultojë historike për Kombëtaren shqiptare, e cila pret Poloninë në “Air Albania” duke nisur prej orës 20:45. Një fitore e mundshme e afron Shqipërinë me Evropianin e vitit të ardhshëm.
Një sfidë vendimtare, në një stadium të mbushur plot, me kuqezinjtë që janë në formë shumë të mirë, ku nevojitet edhe pak fat.
Mungesa e vetme, ashtu si në Çeki, është ajo e Qazim Laçit, i cili kaloi një gjendje gripale. Silvinjo dhe stafi i tij duhet t’i bëjnë një menaxhim perfekt situatës, nga ku ndihet lodhja pas asaj ndeshjeje në Pragë, ku futbollistët konsumuan shumë energji ndaj një Çekie të fortë fizikisht.
Trajneri brazilian ka dilema vetëm për krahun e majtë të sulmit, aty ku kemi një balotazh mes Seferit dhe Uzunit, ndërsa Cikalleshi në qendër dhe Asani në të djathtë nuk do të lëvizin.
Gjithashtu, trajneri mund t’i japë një fanellë titullari mbrojtësit të krahut të djathtë, Ivan Balliu, pasi i duhet më shumë eksperiencë ndaj Polonisë, me Hysajn që pritet të kalojë majta në vend të Mario Mitajt, edhe pse ky i fundit zhvilloi një ndeshje për t’u admiruar në Pragë.
Pjesa tjetër e ekipit nuk do të ndryshojë, Berisha në portë, Gjimshiti dhe Ismajli në qendër të mbrojtjes, Ramadani në rolin e shkatërruesit në mesfushë, i ndihmuar nga Asllani dhe Bajrami.