“Çështja” Beleri, ministri grek: Shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë

Ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, teksa ka dhënë një intervistë për mediat në vendin fqinj, ka komentuar edhe çështjen e Fredi Belerit, duke u ndalur edhe tek marrëdhëniet greko-shqiptare.

Ai bëri me dije se në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, është diskutuar edhe çështja e Belerit.

“Çështja e mbajtjes në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë”, ka thënë ai.

Pata mundësinë të bëja një diskutim edhe me komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, me të cilin folëm për çështjet e Ballkanit Perëndimor.

Greqia, tashmë siç dihet ka marrë iniciativën për të përshpejtuar hapat në rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe 20 vjet pas Deklaratës historike të Selanikut, Greqia do të jetë gjithmonë mbështetje për këto vende sa i përket perspektivës së tyre evropiane.

Sidomos për çështjen e zotit Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën.

Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së Drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.

“Kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi, në mënyrë që të mundësohet betimi i z. Beleri si kryetar bashkie dhe të shprehet në mënyrën më të mirë vullneti i banorëve të Himarës, ashtu siç erdhi përmes zgjedhjeve të saj bashkiake të 14 majit”, ka thënë ai.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama më herët në një intervistë të dhënë për televizionin publik grek ERT, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se ai nuk mund të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë, ndërsa i cilësoi si jo demokratike kërcënimet e Greqisë për bllokimin e procesit të anëtarësimit në BE në rast se Beleri nuk merr detyrën.


Shtuar 31.08.2023 20:35