Ukrainë-Rusi, një konflikt imperialist, mbaron vetëm me fitoren e njërit dhe humbjen e tjetrit

Nga Gaia Cezare “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Kur Volodymyr Zelensky flet për një zgjidhje politike mbi Krimenë, ai ka të ngjarë t’i referohet një dinamike politike brenda Rusisë, që do të çojë në çlirimin e Krimesë, dhe jo negociatave me Moskën”. Zelensky imagjinon një ndryshim brenda regjimit rus, i ndihmuar nga një sukses ushtarak i ukrainasve në Krime.

Ai nuk synon zbarkimin e ushtarëve ukrainas në Krime, nuk e imagjinon një çlirim ushtarak të saj. Përkundrazi, ukrainasit synojnë të arrijnë deri në kufi dhe ta vendosin Krimenë në një situatë pasigurie dhe rreziku, që të krijojnë pasoja edhe për Moskën”.

Nathalie Toçi, drejtoreshë e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare në Itali, është e bindur se intervista e presidentit Zelensky në televizionin kombëtar ukrainas, ku lideri i Kievit foli për një zgjidhje politike për gadishullin e Krimesë, nuk është aspak prelud i negociatave të mundshme me Rusinë, dhe as një shenjë e Ukrainës për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

Dikush i lexoi ato fjalë si një pikë të mundshme kthese…

Në lidhje me këtë çështje ekziston një keqkuptim themelor. Kjo nuk është një luftë si ato që kemi parë në Ballkan. Nuk është një luftë civile apo etno-politike brenda një shteti, e cila përfundon me një shkëputje, forma të federalizmit dhe konsociativizmit, pra me një bashkëpunim rajonal. Kjo është një luftë e një natyre krejtësisht tjetër. Është një luftë perandorake midis shteteve. Këto lloj luftërash fitohen ose humben. Nuk ka kompromis.

Pra, tani për tani s’ka asnjë shpresë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit?

Moska nuk ka qenë asnjëherë e hapur për negociata. Kievi shpreson që presioni ushtarak do të çojë tek një ndryshim politik në Rusi, se ukrainasit do të arrijnë deri në kufi me Krimenë, dhe se situata do të bëhet e paqëndrueshme për ato territore, më keq se sa vitin 2014, kur Moska e gllabëroi gadishullin thuajse pa asnjë rezistencë. Nëse ekziston perceptimi se Rusia është më e dobët, kjo mund të shkaktojë një ndryshim politik në vend, kaos, përpjekje për grusht shteti dhe rrëzim të regjimit.

Por Putini duket se i ka pozitat shumë të forta, veçanërisht pas vdekjes së Prigozhin. A është kështu?

Kjo varet nga korniza kohore në të cilën i analizojmë faktet. Sigurisht, Putin është sot më i fortë sot se 3 javë më parë. Por ai nuk është më i fortë se 3 muaj apo 3 vite më parë. Nëse do të dalë në skenë një “Prigozhin” tjetër, është e qartë se herën tjetër rebelimi nuk do të ndalet 200 kilometra larg Moskës. Sepse cilido e di tashmë, se nëse provon duhet ta rrëzojë Putinin, përndryshe do të ketë një fund tragjik.

Po përse Zelensky flet për çmilitarizimin e Krimesë, nëse nuk sheh në horizont negociatat?

Mendimi i tij ka qenë i qartë për disa kohësh:Ditën që do të çlirojmë Krimenë – ka thënë gjithmonë ai – do të jemi të përkushtuar për çmilitarizimin e gadishullit, sepse kemi parasysh që Rusia mund të ketë nevojë për garanci sigurie.

Megjithatë edhe SHBA-ja duket se po ushtron presion që Krimea të përfshihet në një negociatë më të gjerë. Për Biden, konflikti mund të jetë një problem serioz për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës…

Sigurisht, Biden e ka këtë nevojë. Por pasoja është se presidenti amerikan dëshiron ta fitojë luftën para zgjedhjeve. Dhe ai nuk dëshiron të arrijë tek negociatat, sepse kjo nuk do të thotë se do të fitojë, por as që i synon negociatat.

Ndërkohë Zelensky mund të pezullojë ligjin ushtarak dhe të thërrasë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale brenda vitit të ardhshëm. A janë fjalët e tij fillimi i

një fushate elektorale?

Problemi është se nëse Zelensky nis negociatat me rusët, ukrainasit e rrëzojnë brenda 2 minutash. Po për këtë arsye, kjo çështje është jashtë çdo lloj diskutimi për momentin.

A do të jetë një luftë e pafundme? Shumë e gjatë?

Ajo do të vazhdojë derisa njëri të fitojë dhe tjetri të humbasë.

Çfarë do të thotë të fitosh?

Kjo është një çështje që u takon ta vendosin vetëm ukrainasit. Unë besoj se kjo luftë do të përfundojë kur Rusia ta ripërcaktojë veten si një shtet-komb. Siguria e Evropës varet pikërisht nga kjo gjë. Duhet që Rusia të mos jetë më një komb që e kupton veten si një perandori, dhe që në mënyrë të pashmangshme përfaqëson një kërcënim për të tjerët.

Dhe ky është një proces që kalon përmes një disfate, dhe kjo do ta detyrojë Rusinë ta kuptojë se nuk është më një fuqi perandorake. Perandoritë e tjera të mëparshme, britanike, franceze, portugeze, e pranuan në një moment se kishin humbur. Derisa të mos ndodhë kjo gjë në Rusi, nuk do të ketë paqe në Evropë. Kur do të ndodhë? Kjo mbetet e panjohura e madhe.


Shtuar 31.08.2023 10:05

Tags: