Si mund ta garantojë Bashkimi Evropian fitoren e Ukrainës

Nga Josep Borrell “Project Syndicate

Përktheu:Alket Goce-AlbEu.com

Gati një vit pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, lufta po hyn në një fazë të re. Pas sulmit të dështuar ndaj Kievit pranverën e vitit të kaluar dhe kundërofensivës mbresëlënëse mahnitëse të ukrainasve që solli çlirimin e Kharkiv në veri dhe Khersonit në jug, presidenti rus Vladimir Putin ka nisur një fushatë ndëshkuese që synon civilët dhe infrastrukturën energjetike ukrainase me dronë dhe raketa.

I bllokuar në fushën e betejës, Putin po synon që të maksimizojë numrin e ukrainasve që detyrohen ta kalojnë dimrin në të ftohtë dhe në errësirë. Vija e frontit nuk ka lëvizur shumë muajt e fundit. Megjithatë luftimet mbeten të ashpra (me shumë viktima), dhe Rusia duket se po përgatitet për një ofensivë të madhe në pranverë.

Ekonomia ruse është vënë tërësisht në funksion të luftës, dhe makineria e propagandës së Kremlinit ka tejkaluar çdo kufi, duke shpërndarë një përzierje kërcënimesh apokaliptike dhe iluzionesh perandorake. Media e fundit e pavarur e lajmeve në Rusi, Meduza, dhe organizata e fundit në vend që mbronte të drejtat e njeriut, Qendra Sakharov, po detyrohen që të ndalin aktivitetin e tyre.

Gjendja në Moskë është shumë sfiduese. Në këto rrethana, aleatët e Ukrainës kanë të drejtë që ta rrisin ndihmën e tyre ushtarake, duke përfshirë sigurimin e tankeve. Qëllimi është që Ukraina të triumfojë kundër agresorit të saj. Por ne nuk mund ta dëshirojmë këtë pa i dhënë Ukrainës mjetet e duhura për ta arritur qëllimin.

Alternativa është një luftë e zgjatur shkatërruese, që do të shkaktojë më shumë vdekje në Ukrainë, pasiguri më të madhe për Evropën, dhe vuajtje të vazhdueshme në mbarë botën

(për shkak të përdorimit si një armë nga Rusia të furnizimeve energjitike dhe ushqimore).

Partnerët e Ukrainës ishin zotuar tashmë që të siguronin mbrojtje ajrore të avancuar si sistemi raketor “Patriot” i prodhuar në SHBA, topa më cilësorë dhe mjete luftarake të blinduara shtesë. Por përpara hapit të madh të kohëve të fundit, pati një debat të fortë nëse duhet të dërgoheshin apo jo tanket gjermane “Leopard 2” apo ato amerikane “M1 Abrams”.

Të thyhet ngërçi i luftës së llogoreve

Unë kam deklaruar prej kohësh që ne duhet t’i ofrojmë Ukrainës mjetet që i duhet për ta dëbuar ushtrinë ruse nga territori i saj. Tanket janë shumë të nevojshme për forcat ukrainase për të dalë nga ngërçi aktual i luftës së llogoreve, dhe që ushtria e Ukrainës të rifitojë iniciativën që kishte vjeshtën e kaluar kur çliroi Kharkiv dhe Kherson.

Arritja e “marrëveshjes së tankeve” mori jo pak kohë dhe u shoqërua më diskutime të shumta, përfshirë ato në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Pakti u arrit kur Gjermania ra dakord të dërgonte tanket e saj “Leopard 2”, në koordinim me Shtetet e Bashkuara, të cilat do të nisin drejt Ukrainës rreth 30 tanke “M1 Abrams”.

Megjithëse shpërndarja e këtyre aseteve do të marrë kohë dhe do të kërkojë trajnim dhe mirëmbajtje intensive, rezultati nuk kufizohet vetëm në fushën e betejës. Ne i kemi dërguar një sinjal tjetër të fuqishëm Rusisë se Putini gaboi sërish kur dyshoi mbi vendosmërinë tonë.

Sigurisht, disa do të thonë se më shumë armë do ta zgjasin luftën, do të rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, dhe se negociatat diplomatike janë zgjidhja e vetme. Por ndërsa evropianët do të mbeten gjithnjë të hapur ndaj kujtdo që është serioz

në kërkimin e një fundi të negociuar dhe të drejtë të luftës, Rusia deri më tani e ka bërë të qartë se synon të vazhdojë me krimet e saj të luftës.

Të gjithë ata që janë përpjekur të negociojnë me Putinin janë kthyer duarbosh. Derisa të ndryshojë situata, ne në Perëndim duhet të arrijmë në përfundimin se mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës, është t’i japim Ukrainës mjetet për ta dëbuar pushtuesin. Prandaj, detyra e BE-së, është të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta mbështetur Ukrainën.

Dhe kjo është ajo që po bëjmë. Së bashku me qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, kemi dhënë deri më tani 12 miliardë euro në armë dhe furnizime të ngjashme për Ukrainën, 3.6 miliardë prej të cilave vijnë nga Fondi Evropian i Paqes. Nëse llogaritim edhe ndihmën makro-financiare dhe atë humanitare, mbështetja jonë totale arrin në afro 50 miliardë euro.

Trajnimi i personelit ukrainas

Për më tepër, BE-ja është aktualisht ofruesja kryesore e trajnimit ushtarak për trupat ukrainase. Nëpërmjet Misionit të Ndihmës Ushtarake të BE-së në Poloni dhe Gjermani,

ne do të trajnojmë mbi 15.000 trupa deri në muajin prill. Dhe jemi të përgatitur t’i dyfishojmë përpjekjet dhe të trajnojmë 15.000 të tjerë, madje edhe për përdorimin e tankeve perëndimore si “Leopard 2”, që do të dërgohen se shpejti në front.

Po ashtu, Bashkimi Evropian po punon për paketën e dhjetë të sanksioneve, teksa brenda pak muajsh e ka reduktuar ndjeshëm varësinë tonë nga importet energjetik ruse. Ndërkohë, fakt është se ato po funksionojnë. Sot nafta ruse po shitet me një ulje prej 40 dollarësh në bursën Brent, dhe të ardhurat ditore të Moskës nga energjia pritet të bien nga rreth 800 milionë euro në 500 milionë, pas hyrjes në fuqi të masave tona më të fundit në fillim të këtij muaji.

Lufta po i kushton shumë shtrenjtë Kremlinit, dhe këto kosto do të rriten sa më gjatë që të zgjasë ajo. Janarin e vitit kaluar, pak javë para fillimit të pushtimit, unë vizitova rajonin e Donbasit dhe pashë vijën e frontit. Për arsye të qarta, ai udhëtim më ka mbetur në mendje. Kur u riktheva në Kiev, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal e pranoi se “pushtimi do të ndodhte dhe që ne ukrainasit e dimë që ju nuk do të vini të luftoni në anën tonë”.

Por, ai nxitoi të më pyeste: “A do të na jepni të paktën armët që na duhen për t’u mbrojtur?”. E them sinqerisht, që nuk isha i sigurt se si të përgjigjesha, sepse nuk e dija se

sa e fortë do të ishte vendosmëria evropiane. Sot, përgjigja për këtë pyetje është më e lehtë. Pas samitin BE-Ukrainë në Kiev, askush nuk dyshon se Evropa është ngritur në lartësinë e rastit. Tani, ne duhet të vazhdojmë t’i japim Ukrainës mjetet për ta mposhtur agresorin, për të rivendosur sovranitetin e saj, dhe për të gjetur vendin e saj në Bashkimin Evropian. /albeu.com

Shënim:Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, dhe zv/President i Komisionit Evropian për një Evropë më të fortë në botë.


Shtuar 6.02.2023 14:32