LSD dhe Fentanil:Kur droga shndërrohet në një armë shkatërruese

Nga Emmanuel Pietrobon “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Trafiku ndërkombëtar i drogës dhe prodhimi i drogës në vend nuk janë një prerogativë ekskluzive e bandave dhe mafiozëve. Edhe Fuqitë e mëdha dhe shtetet mafioze janë të përfshira në biznese të paligjshme, ndonjëherë në bashkëpunim edhe me organizatat e krimit të organizuar.

Historia është plot me shembuj, si të largët po ashtu edhe të kohëve të fundit, të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis disa shteteve dhe kundër shteteve të tjera: midis Shteteve të Bashkuara dhe Cosa Nostra-s kundër Italisë së Benito Mussolinit, midis SHBA-së dhe Cosa Nostra-s amerikane kundër Kubës së Fidel Castro-s, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Yakuza-s kundër komunistëve japonezë.

Pastaj është aleanca midis Mafia Mokro dhe Republikës Islamike të Iranit që përndiqte armiqtë e Ajatollah Khomeinit në emër të Iranit. Po ashtu familjet mafioze turke janë përfshirë shpeshherë në atentate, rrëmbime dhe spiunazh me urdhër të MIT, shërbimit sekret turk.

Shtetet dhe anti-shtetet janë të lidhura midis tyre nga një marrëdhënie e pashmangshme dashuri-urrejtje, sepse ato janë dy anët e një medalje që dëshiron të ketë vetëm një fytyrë. Dhe historia na ka treguar se si një marrëveshje e tillë i lidh më shumë se çdo trafik tjetër: droga.

Ndonjëherë këto 2 palë trafikojnë lëndën narkotike së bashku, siç na e kujton edhe historia trafikut të kokainës si pasojë e bashkëpunimit CIA-Contra. Ndërkohë nganjëherë shtetet prodhojnë vetë drogë në funksion të objektivave të tyre politike dhe ushtarake. Këtu mund të kujtojmë rastet e projektit famëkeq Mk-Ultra dhe luftës ndaj drogës së fortë Fentanil.

Nëse nuk mund t’i mposhtni, atëherë vërini në gjumë

SHBA, viti 1960. Lufta e Ftohtë është në kulmin e saj, ulja e tensioneve vetëm sa ka nisur, dhe ndërsa opinioni publik botëror është i magjepsur nga gara hapësinore, e cila deri në fund të dekadës do ta çojë njeriun në Hënë, në laboratorët e fshehtë ushtarakë të Botës së Parë dhe të Botës së Dytë, njerëzit punojnë ditë e natë, me një ritëm të shfrenuar, për të fituar një garë jo më pak të furishme: garën për trurin.

Gara ose Lufta për Trurin në Shtetet e Bashkuara ka një emër dhe një fytyrë: Mk-Ultra. Ky është programi më i gjerë, më jetëgjatë dhe më i strukturuar i studimit dhe kërkimit mbi kontrollin e mendjes që është krijuar ndonjëherë nga një shtet për qëllime ushtarake dhe i është besuar drejtimit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).

Ekspertët më të rëndësishëm të psikologjisë dhe psikiatrisë të pasluftës u rekrutuan për këtë projekt: Harold Alexander Abramson, Donald Ewen Cameron, Sidney Gottlieb, Donald Hebb, Harris Isbell, Martin Theodore Orne, Louis Jolyon West. Iu ofrua një shpërblim i majmë dhe mbi të gjitha iu tha se mund të eksperimentonin mbi kavie njerëzore çdo lloj teknike dhe substancë.

Buxheti i tyre ishte i jashtëzakonshëm:10 milionë dollarë në atë kohë, ose mbi 100 milionë dolarë me kursin e sotëm. Shkencëtarët e Projektit Mk-Ultra, që përbëhej nga disa nën-pjesë – Mkchickwit, Mknaomi, Mkoften, Mksearch etj. – operuan në 4 departamente të ndryshme: armë biologjike, armë kimike, armë psikologjike dhe armë radiologjike.

Mjetet e përdorura ishin të ndryshme, duke filluar nga militarizimi i migrimit të shpendëve tek përdorimi i drogës. Dhe shpesh kishin vetëm një qëllim: të vidhnin sekretet e mendjes njerëzore. Për të ndikuar tek ajo, manipuluar dhe kontrolluar atë. Për ta kontrolluar nga distanca, nëse është e mundur.

Për ta “fikur”, nëse është e nevojshme. Shkencëtarët e programit MK-Ultra do të zbulonin shumë shpejt, me ndihmën e nazistëve gjermanë dhe fashistëve japonezë që i shpëtuan Gjykatave të Nurembergut dhe Tokios, se sekreti i kontrollit të mendjes fshihet tek substancat narkotike dhe psikedelike, sidomos LSD dhe kanabisit.

Substancat që premtonin të shuanin lëvizjen e protestës së të rinjve. Rebelët e lindur pas Luftës së Dytë Botërore duhej të ndaleshin. Sepse marshimet e tyre të mëdha dhe idetë e tyre, kërcënonin themelet e establishmentit dhe ishin një problem për klasën sunduese, e cila kishte nevojë për një opinion publik për të përballuar sfidën globale që ishte Lufta e Ftohtë.

Nga fundi i viteve 1950 deri në fillim të viteve 1980, në kontekstin e operacioneve Mk-Ultra, Mockingbird dhe Chaos, CIA do të përdorte median dhe industrinë e argëtimit për të popullarizuar përdorimin e drogës, dhe do të merrte përsipër të gjithë sasinë e LSD-së për

ta prodhuar (dhe shpërndarë) atë në një shkallë industriale.

Po ashtu do të krijonte apo infiltrohej në komunitetet hipi dhe organizatat e lidhura me të për të radikalizuar anëtarët e tyre, duke i bindur ata të ndjekin një vetë-izolim hedonist nga shoqëria (dhe politika). Eksperimenti më i madh social masiv në histori, i dokumentuar në libra të tillë si “Poisoner in Chief”, “The Search for the Manchurian Candidate: The CIA and Mind Control”, dhe “Weird Scenes Inside The Canyon”, thuhet se solli infiltrimin e komuniteteve nga agjentë provokatorë dhe ndikues të diskutueshëm, nga Jonestown tek Zihuatanejo, dhe nga familja e Charles Manson tek Vëllazëria e Dashurisë së Përjetshme, në organizimin e ngjarjeve të stilit Woodstock dhe rekrutimin e aktivistëve politikë të Nju Jorkut, gazetarëve, muzikantëve dhe akademikëve të majtë.

Doli se ishte një sukses për aq sa i lejoi Shtetet e Bashkuara të vënë në gjumë brezin që ëndërronte revolucionin, të ashtuquajturit “Baby Boomers”. Gottlieb synonte të gjente një mënyrë për të vendosur nën kontroll mendjet e njerëzve dhe e kuptoi se ky është një proces me dy pjesë. Së pari duhet të “fshini” mendjen ekzistuese, dhe së dyti duhet të futni një mendje të re në zbrazëtinë e krijuar. Në pjesën e dytë nuk u arrit ndonjë gjë e madhe, edhe pse u punua shumë.

 

Një leksion nga Mk-Ultra

Suksesi i teorive ekstreme të Gottlieb, të cilat ishin në gjendje të shuanin flakën e rebelimit të “Baby Boomers” në Amerikën e Veriut, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e mëvonshme të njerëzimit. Eksperimentet e kontrollit të mendjes janë kryer për qëllime sociale jashtë shtetit.

I tillë ishte operacioni “Blu Moon” në Itali, me një depërtim të madh të heroinës për ta vënë në gjumë lëvizjen e protestave në vend. Kishte nisur epoka e luftërave konjitive. Dhe shpërthyen edhe luftërat hibride mbi drogën, siç është kriza e opioideve në Shtetet e Bashkuara.

CIA përdori droga si LSD dhe kanabis, por edhe drogëra për të mbajtur nën kontroll të rinjtë. Kina, një “nxënëse model” që e kaloi gjithë Luftën e Ftohtë duke marrë shënime nga mjeshtrat, po përdor një format të ngjashëm, Fentanil plus TikTok, për të shkatërruar strukturën sociale të Shteteve të Bashkuara.

Eksperimenti i madh mbi fëmijët e brezit “Baby Boomers” dhe Lufta e Tretë e Opiumit midis Shqiponjës (SHBA-së) dhe Dragoit (Kinës) janë shembujt më të spikatur, por jo të vetmit, se çfarë mund të ndodhë kur drogërat tradicionale, sintetike dhe dixhitale zënë vendin e bajonetave. Ato mund të shkatërrojnë shpirtin e një brezi. Ose mund të bëjnë një masakër, trupash dhe trush, pikërisht në vendin e armikut.

 


Shtuar 29.08.2023 21:24

Tags: