I dënuar me 25 vite burg nga Peruja, 58-vjeçari ukrainas arrestohet në Morinë

Një 58-vjeçar, banues në Ukrainë, i dënuar me 25 vite burg nga Peruja është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.

Në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve nga shërbimet e Interpol Tiranës, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Perusë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht Dmytro Chornyi, 58 vjeç, banues në Ukrainë.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 58-vjeçari ishte i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Perusë, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i armëve” dhe “Krimet kundër shtetit dhe mbrojtjes kombëtare”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Perusë.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Peru, për ta ekstraduar shtetasin Dmytro Chornyi, drejt këtij shteti.

/Albeu.com.


Shtuar 29.08.2023 09:46