Pas deklaratës së tij tre ditë më parë, Kadastra nuk është në kaos dhe sistemi funksionon, ditën e sotme kreu i qeverisë ka publikuar një foto të sistemit të ri digjital.
Rama ka bërë foton publike si shenjë të fluksit të punës së Kadastrës për të hedhur poshtë akuzat se sistemi nuk funksionon.
Përmes këtij sistemi, nuk funksionojnë më ndërhyrjet apo shanset për ryshfet, deklaron kryeministri.
Edi Rama: Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për rryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit. Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem ARMIQËSOR ME KORRUPSIONIN dhe MIQËSOR ME QYTETARIN.
Kujtojmë se që nga data 3 korrik shërbimet e Kadastrës do të kryhen online. Por digjitalizimi i shërbimeve ka bërë që institucioni të përfshihet nga kolapsi total dhe prej më shumë se një muaji mijëra qytetarë kanë hapur probleme. Ata kanë ngecur në veprimet me pronat e tyre, ndërsa bankat nuk po mundet të veprojnë normalisht me kreditë kur kolateral janë pronat. E gjithë kjo ka shkaktuar një ngërç të madh në vend, vetëm për shkakun se Kadastra nuk bën dot veprimet mbi pronat siç bëheshin më parë./albeu.com