Ja kush e fitoi Këpucën e Artë për sezonin 2020/2021 në Kategorinë Superiore (FOTO LAJM)

Teuta është kurorëzuar kampione e Shqipërisë për sezonin futbollistik 2020-2021.

Durrsakët fituan sot titullin kampion pasi mundën me shifrat e thella 6-1 Apoloninë dhe rrëmbyen titullin e 2-të në histori, me golavarazh më të mirë se Vllaznisë, që grumbulloi po aq pikë sa skuadra e Edi Martinit.

Në ndeshjet e mëdha skenën e marrin lojtarët e mëdhenj dhe të njëjtën gjë e bëri sot Dejvi Bregu. Anësori tundi rrjetën 3 herë sot, duke e çuar në 16 numrin e golave të shënuar në këtë edicion të Superiores dhe rrëmbyer Këpucën e Artë.

Deri dje ndoshta shumë pak veta e mendonin që trofeu të shkonte te Bregu, por sot Eze (15) dhe Ibraimi (14) nuk i shënuan asnjë gol Kastriotit dhe qëndruan në numrat e mëparshëm, duke i hapur rrugën Dejvi Bregut.

Këpuca e Artë “kthehet” në vendin tonë pas plot 5 vitesh. Hamdi Salihi ishte shqiptari i fundit, që arrinte të fitonte këtë trofe me Skënderbeun në sezonin 2015-16.

© SYRI.net


Shtuar 26.05.2021 19:26