FOTO/ Kush është polici që shpërndante drogë në Sarandë, lokalin e kishte marrë me qira

Personi në foto është Redjon Bello, 24-vjeçari i arrestuar nga AMP për shpërndarje droge në një lokal që e kishte marrë me qira në Sarandë.

Redjon Bello

Redjon Bello shpërndante kanabis së bashku me mikun e tij, Sejdi Vocka.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Last Sunday”, njoftoi më herët policia.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë punonjësi i policisë Redjan Bello, me detyrë Trup Shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, si dhe bashkëpunëtori i tij Sejdi Vocka, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje, prodhim pa leje e armëve dhe municionit”.

Dy shtetasit e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar një lokal “Beach Bar” në qytetin e Sarandës për të kamufluar veprimtarinë antiligjore, shpërndanin lëndë narkotike të llojit kanabis sativa tek shtetas të ndryshëm duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

Gjithashtu në ambientet e lokalit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri e llojit pistoletë së bashku me municion, pa leje.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestrua një sasi lënde narkotike rreth 100 doza, një arme zjarri e tipit TT pa leje, dy aparate celulare, një automjet dhe një shumë monetare prej 555 euro, 20 pound dhe 20.000 lek.

Materialet proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë./Albeu.com/


Shtuar 21.08.2023 11:01