Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas plagosjes së policit 25-vjeçar mbrëmjen e djeshme në Himarë.
Redin Caushaj, me detyrë Inspektor në Policinë e shtetit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme ka tentuar të ndalojë një konflikt mes disa shtetasve, edhe pse ndodhej jashtë orarit zyrtar të punës. Çaushaj është goditur me thikë në qafë nga 60-vjeçari Thodhori Mërkuri në momentin që ka tentuar të shuajë konfliktin.
Balla shkruan se kushdo që ngre dorë mbi policinë duhet ta dijë se po kryen një krim kundër shtetit.
Reagimi i plotë i Ballës:
Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm. Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndërshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje. Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacionin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit.
Thodhori Mërkuri, pasi plagosi 25-vjeçarin ditën e djeshme u arratis duke përfituar nga errësira. Ditën e sotme, pas më shumë se 8 orësh ndjekje, forcat operacionale së bashku me grupe të FNSH e kanë lokalizuar teksa fshihej në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur dhe e kanë arrestuar.
/Albeu.com/