VIDEO/ Kontrolle me dron, kapen në flagrancë duke u kujdesur për drogën babë e bir në Lazarat

Babë e bir nga Lazarati janë arrestuar në flagrancë pasi janë kapur duke u kujdesur për bimët narkotike që kishin mbjellë.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në një banesë në fshatin Lazarat, kultivoheshin bimë narkotike cannabis sativa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan operacionin policor të koduar “Kujdesi”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit A. S., 51 vjeç dhe E. S., 28 vjeç (babai dhe djali), të dy banues në fshatin Lazarat.

Të dy këta shtetas u kapën në flagrancë nga dronë të rezolucionit të lartë, të përdorur në këtë operacion, teksa kujdeseshin për 50 bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa që kishin mbjellë në oborrin e banesës së tyre. Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në këtë banesë, Policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 50 bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/

 


Shtuar 16.08.2023 10:14