Sanksionet e BE ndaj Kosovës, DW: Prishtina zyrtare i cilëson të padrejta

Prishtina zyrtare vazhdon t’i cilësojë të padrejta masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vendosi Kosovës për shkak të siç thuhet “paaftësisë së qeverisë për të vepruar në mënyrë evropiane”, në raport me situatën në veri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret që partnerët e BE-së të bëjnë tërheqjen e këtyre masave, pasi sipas saj, “institucionet janë duke e respektuar marrëveshjen e arritur në Bratislavë për deeskalim të situatës në veri”.

Osmani kërkon të ushtrohet presion ndaj Vuçiqit

“Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen, e që kërkon konsultim edhe me EULEX-in edhe me misionin e NATO-s këtu. Është duke u krijuar baza ligjore për zgjedhje të jashtëzakonshme në këto komuna veriore. Të gjitha këto kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Bratislavës. Tani presim që hapat t’i marrin partnerët tanë në Bashkimin Evropian, sepse, masat e tyre kanë qenë komplet disproporcionale me  çfarëdo pakënaqësie që mund të kenë pasur në raport me veprimet e Qeverisë së Kosovës”, tha presidentja Osmani. Me një dozë nervozizmi, Presidentja tha se “e ka përshtypjen se shumë shtete e kanë trajtuar Kosovën sikurse ta pushtonte dikë”.

“Kosova nuk e ka pushtuar asnjë territor të shtetit fqinj, Kosova ka vepruar në territorin e Republikës së saj, Republikë sovrane e cila është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve të Bashkimit Evropian. Si presidente e vendit natyrisht kërkoj  çdo ditë të ketë koordinim me aleatët dhe partnerët tanë, sepse çështjet e sigurisë janë tema kolektive dhe jo individuale”, tha Presidentja Osmani. Ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të bëjë presion mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i dhënë fund “ndikimit negativ ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës”.

Bashkimi Evropian po kërkon nga qeveria e Kosovës veprime shtesë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës. BE po ashtu është e gatshme të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, nëse ajo nuk ndërmerr veprime të kërkuara nga unioni. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese të vëna ndaj Kosovës janë masa të kthyeshme dhe kjo varet nga Prishtina por edhe nga Beogradi se si i qasen shtensionimit të situatës dhe kthimit në proces normal të dialogut.

Rraci: Hezitimi i BE – i pakuptueshëm

Për njohësit e zhvillimeve politike është i pakuptueshëm aktualisht hezitimi i BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi ajo i ka ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vet  BE-ja. Gazmir Rraci, analist politik  i tha DW-së, se “Kosova i tha po propozimit të Bratislavës për shtensionimin e situatës në veri dhe në kohë reale përsëri përmbushi obligimet e dalura nga plani 4 pikësh”.  “Nuk e kuptoj hezitimin e ndërmjetësve për t’i hequr ato masa të njëanshme që ju vendosen Kosovës edhe pse kur janë vendosur është thënë që në momentin që pranohet propozimi, ato mund të hiqen. Kosova është partnere serioze e perëndimit dhe se nuk ka aleancë tjetër përpos me atë euroatlantike. Nuk ka alternativë të dytë dhe nuk bën pazare me fuqi të tjera destruktive në botë siç po e bën Serbia, ku së fundi ka blerë armë edhe nga Irani e s’po flas edhe për blerjet e mëhershme nga Kina e Rusia në kohën kur ajo, Serbia, është kandidate potenciale për t’u bërë anëtare e BE-se”, shprehet Gazmir Rraci.

Sipas Rracit letra e kongresistëve dhe parlamentarëve amerikanë dhe evropianë që iu dërgua Josep Borrellit dhe Sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, “po ashtu flet për këtë lloj trajtimi jo të duhur nga ana e BE-së ndaj Kosovës në raport me Serbinë. “Është koha që Gjermania dhe Franca së bashku me SHBA-të të kenë rol aktiv në zbatimin e plotë dhe pakushte të planit franko-gjerman dhe aneksit të Ohrit”, thotë Rraci.

Burjani: BE duhet pjesërisht të kishte hequr masat kundër Kosovës

Edhe një njohës tjetër i zhvillimeve politike, Blerim Burjani, i tha DW-së, se Kosova ka bërë hapat e parë në drejtim të shtensionimit të gjendjes në veri, por ato nuk po i duken të mjaftueshme BE-së. “Kjo nuk mjafton pa  shpalljen e zgjedhjeve për katër komunat veriore, dhe për të hequr dorë nga politika e qeverisë jo e qartë dhe siç po perceptohet jo e sinqertë me partnerët ndërkombëtarë. Politika e Kurtit po perceptohet nga disa shtete të BE-së si humbje e besimit, ky është problemi kryesor që BE-ja po heziton të heqë masat administrative, financiare, ekonomike dhe investive ndaj Kosovës. BE-ja ishte dashur së paku pjesërisht të largojë masat e ndërmarra kundër  Kosovës”, thotë analisti Burjani.

Sipas tij, reagimi i BE duhet të jetë proporcional në heqjen e masave, sikundër që duhet përmirësuar edhe sjellja e qeverisë së Kosovës dhe përmirësimi i gabimeve të saj në raport me BE-në. “Kjo Qeveri duhet të jetë jashtëzakonisht e matur me vendime apo gjuhë politike që tingëllon jo adekuate dhe jo proporcionale me politikën e BE-së. Tash korrigjimi i sjelljes politike  është me i vështirë për të rikthyer besimin para gjendjes së krijuar në veri. Letra e disa deputetëve dhe  zyrtarëve të shteteve perëndimore mund të ndikojë në zbutjen dhe edhe heqjen e këtyre masave ndaj Kosovës. Çdo politikë dhe vendim jo proporcional me politikën e BE-së dhe SHBA-së, mund të rezultojë negative për palët. Pra, as Serbia nuk do të jetë më e ledhatuar nga perëndimi”, thotë analisti Burjani.

“Edhe Serbia mund t’i nënshtrohet masave sanksionuese  nëse nuk tregon sinqeritet dhe rol aktiv në shtensionimin e gjendjes në veri, pra duhet të inkurajojë serbët kosovar të marrin pjesë në zgjedhjet në veri”, thotë Burjani.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e veriut, po  kërkohen me ngulm nga komuniteti ndërkombëtar si një nga kushtet kryesore për shtensionim të situatës në veri. Përderisa nuk ndodh kjo, si duket Bashkimi Evropian do të mbajë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Sipas qeverisë në Prishtinë është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket afateve dhe procedurave lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. /DW


Shtuar 16.08.2023 09:50