Plagosi me thikë policin në Himarë, arrestohet pas disa orësh kërkime autori (EMRAT)

Ka marrë fund arratia e 60-vjeçarit Thodhori Mërkuri, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë policin Redin Caushaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 pranë kthesës së fshatit Pilur.

Mësohet se Redin Caushaj, punonjës policie është goditur me thikë pasi ka ndërhyrë për të ndaluar një konflikt mes disa personave.

25 vjeçari, me detyrë inspektor i policisë së zonës Lukovë, ishte duke kaluar në rrugë jashtë shërbimit të orarit kur ka parë personat që po ziheshin dhe ka ndërhyrë menjëherë.

Por në momentin që ka ndërhyrë, 60-vjeçari Thodhori Mërkuri e ka goditur me thikë dhe për pasojë polici është në gjendje kritike për jetën. Autori u largua menjëherë duke përfituar nga errësira, por pas disa orësh kërkime, policia ka arritur që ta lokalizojë dhe ta prangosë.

Ndërkohë vijon puna për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje./Albeu.com/