Kriza e emigrantëve në Evropë do të përkeqësohet akoma më shumë

Nga Gavin Mortimer “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Herën e parë që Mohamed Bazoum u vendos në vëmendjen e mediave evropiane ishte pas krizës së madhe të emigrantëve të vitit 2015. Njeriu që deri para 2 javësh ishte presidenti i Nigerit, ishte në atë kohë Ministër i Brendshëm.

Ishte përgjegjësia e tij të zbatonte një marrëveshje të nënshkruar midis Nigerit dhe Bashkimit Evropian për të frenuar fluksin e emigrantëve përmes vendit të tij në veri drejt bregut të Detit Mesdhe. Shumica e burrave, grave dhe fëmijëve që synonin Evropën, kalonin përmes qytetit nigerian Agadez, një rrugë e përdorur për shekuj me radhë nga emigrantët në Afrikë.

Shumica e bënë këtë vullnetarisht, por jo të gjithë. Pasi atë e ndjekin edhe dhe gratë e reja nigeriane të destinuara për të punuar si prostituta në Evropë, të cilat kalonin gjithashtu tranzit në Niger. E përshkruar edhe si “porta nga Afrika Perëndimore në Libi”, Agadez ishte vendi ku trafikantët i bazonin operacionet e tyre, duke i grumbulluar emigrantët nëpër kamionë për një udhëtimi mbi 960 km drejt veriut përmes Saharasë deri në Libi.

Deri në vitin 2011, përpjekje të tilla për të mbërritur në Evropë përfundonin pa sukses në kufirin libian. Por pasi po atë vit Perëndimi e rrëzoi nga pushteti kolonelin Muammar Gadafi, anarkia e zëvendësoi rendin në Libi dhe kontrabandistët e shfrytëzuan më së miri situatën.

Në vitin 2010, vetëm 4.450 emigrantë arritën të kalojnë Mesdheun Qendror për në Itali. Kjo shifër arriti në 170.665 në vitin 2014, dhe shënoi kulmin 2 vjet më vonë në 181.459. Vlerësohet se treçereku i tyre kaluan përmes Nigerit. Më pas shifra ranë, duke arritur në 14.874 në vitin 2019.

Kjo rënie i detyrohet kryesisht qeverisë së Nigerit, e cila në vitin 2015 miratoi Ligjin 36, me një qasje zero tolerancë ndaj trafikimit të njerëzve. Bazoum ishte shumë i zellshëm në zbatimin e ligjit të ri, duke fituar respektin dhe admirimin e Brukselit.

“Evropianët na kërkuan që të reduktojmë numrin e emigrantëve që hyjnë në Libi. Pa një ligj të posaçëm ne nuk kishim asnjë mënyrë se si ta bënim këtë. Prandaj edhe e miratuam këtë ligj… në përgjigje të kërkesave të Bashkimit Evropian”- deklaroi ai në atë kohë.

Për këtë arsye Bazoum konsiderohet sot si një “aleat” i Perëndimit. Megjithatë, ka pasur akuza se jo të gjitha paratë e BE-së shkuan për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe se disa njerëz në pushtet në Niger u pasuruan me fondet e dhëna nga Brukseli.

Burimi tjetër i pakënaqësisë midis vendasve ishte se emigrimi ishte një biznes shumë i madh në Niger, sidomos në Agadez. Ky qyteti ka një popullsi prej afro 140.000 banorësh dhe në kulmin e krizës së emigrantëve të 2015-2016, më shumë se gjysma e familjeve ishin të përfshira në një formë apo tjetrën me industrinë e emigrantëve.

Ata varionin nga shoferët tek pronarët e hoteleve dhe deri tek shitësit e rrugëve që u shesin emigrantëve ujë dhe ushqime. Prandaj, Ligji 36 nuk u prit mirë në Niger. Ai mund ta ketë bërë Bazoum popullor në BE. Ai fitoi zgjedhjet e vitit 2021 për t’u bërë presidenti i parë i Nigerit i zgjedhur në mënyrë demokratike, që kur fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960, por shumë nigerianë u zemëruan me fitoren e tij.

Atë vit pati shumë protesta në rrugë. Demonstruesit pretendonin se Bazoum kishte fituar përmes manipulimeve. Si president, ai kishte mbajtur qasjen e tij të linjës së ashpër të mbështetur nga BE kundër emigracionit të paligjshëm.

Më 14 korrik, vetëm 12 ditë përpara se të rrëzohej nga ushtria, gazeta franceze Le Monde publikoi një raport mbi gjendjen e vështirë të emigrantëve që vinin nga vende nën-Sahariane dhe përpiqeshin të mbërrinin në bregdetin e Afrikës së Veriut. Gazeta citoi ojq-në, Alarm Phone Sahara, e cila pretendoi se Algjeria kishte kthyer mbrapsht në Niger mbi 11.000 njerëz midis janarit dhe prillit të këtij viti.

“Këto dëbime kryhen në bazë të një marrëveshjeje me Nigerin. shtu si afrikanët e tjerë, për këta njerëz nuk kujdeset Nigeri… Ata enden nëpër shkretëtirë duke u përpjekur të rikthehen në Algjeri”- thotë Moctar Dan Yayé, një zëdhënës i APS. Megjithatë, gati 90.000 emigrantë kanë arritur në Itali këtë vit, vetëm 15.000 më pak se i gjithë numri që mbërritën gjatë vitit 2022.

Jo të gjithë ia dolën, dhe vetëm javën e fundit kanë ndodhur 4 mbytje anijesh që sollën humbjen e jetës për të paktën 131 njerëz, duke e çuar në 1800 numrin e përgjithshëm të të vdekurve në Mesdhe që nga fillimi i këtij viti.

Por këto tragjedi nuk i frenojnë aspak të tjerët. Dhjetëra mijëra emigrantë do të tentojnë kalimin në muajt e ardhshëm, duke u dorëzuar secili prej 3.000 euro trafikantëve që drejtojnë varkat, duke shpresuar se do të jenë ndër fatlumët që do të arrijnë në Itali.

Evropa ka frikë nga një rritje e numrit të tyre pas grushtit të shtetit në Niger. Dhe ka që tani raporte se numri i emigrantëve që po mbërrijnë në Libi është tashmë në rritje. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani shprehu të hënën e kaluar shqetësimin e tij për përkeqësimin e situatës në Niger dhe pasojat e saj të mundshme.

“Problemi i valës së re të emigrantëve është tashmë një realitet. Nëse nuk arrihet marrëveshje, çdo ditë që kalon situata rrezikon të përkeqësohet. Nëse shpërthen lufta në Niger, do të jetë një katastrofë”- theksoi ai. Javën e kaluar, blloku rajonal Ecowas i mbështetur nga Perëndimi, i cili përbëhet nga 15 vende afrikane, deklaroi se janë të gatshëm të ndërhyjnë ushtarakisht për të ‘rivendosur rendin kushtetues’ në Niger.

Udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë premtuar se do të mbrohen kundër çdo ndërhyrjeje të jashtme, dhe kanë mbështetjen e Malit dhe Burkina Fasos, 2 vende që kanë përjetuar secila nga një grusht shteti 2 vitet e fundit. Në një deklaratë të përbashkët ato paralajmëruan se një pushtim i Nigerit do të përbënte një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, që do të “kishte pasoja katastrofike për të gjithë rajonin”.

Por jo vetëm për të gjithë rajonin. Valët tronditëse të një lufte në Niger do të ndiheshin në Evropë, e cila u akuzua nga disa në Niger në 2016 për “caktimin e kufirit të saj jugor në Agadez”, me ndihmën e Mohamed Bazoum. Me rrëzimin e Bazoum, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë kufi, dhe këtë gjë e dinë edhe trafikantët. /albeu.com


Shtuar 14.08.2023 13:20

Tags: