Nga Zoe Strimpel “Newstatesman”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Disa kohë pasi kisha pranuar një ftesë për të mbajtur një fjalim në një ceremoni diplomimi dhe një leksion në qershor në Kolegjiumin Mathias Corvinus (MCC) në Kluzh të Rumanisë, më erdhi një e-mail tjetër, që më pyeste nëse do të doja të paraqitesha në një festival të organizuar po nga ky institucioni në Eztergom të Hungarisë në muajin korrik.
Kolegjiumi Mathias Corvinus, që mban emrin e mbretit të Hungarisë dhe Kroacisë në vitet 1458-1490, ofron një rrjet të gjerë kurrikulash arsimore dhe të nivelit të kolegjit të financuar nga partia populiste dhe kundër imigracionit Fidesz e kryeministrit hungarez Victor Orban në shumën e një donacioni prej 1.7 miliardë dollarësh.
MCC është e lidhur me Fidesz dhe shihet si një terren stërvitor për elitat partiake dhe si një instrument kyç për të kufizuar diversitetin ideologjik në arsimin e lartë hungarez. Fidesz, që mbështetet nga konservatorët e MAGA (Make America Great Again) në Shtetet e Bashkuara dhe të djathtët populistë në Britani, përbuzet nga e majta hungareze dhe në Bruksel.
Është e vështirë të këmbëngulësh që ajo është raciste, pavarësisht një fiksimi konspirativ ndaj George Soros, të cilin ata e akuzojnë vazhdimisht së është duke punuar kundër interesave të Hungarisë, dhe jo antisemitik. Megjithatë retorika e Fidesz-it ka qenë gjithnjë e më radikale sidomos që nga kriza e emigrantëve e vitit 2016.
“Ne nuk duam të jemi të ndryshëm dhe nuk duam të jemi të përzier. Ne nuk duam që ngjyra, traditat dhe kultura jonë kombëtare të përzihet me ato të të tjerëve. Ne nuk e duam fare këtë. Nuk duam të jemi një vend i larmishëm”- deklaroi Orban në vitin 2018. Referenca për “ngjyrën” është e vështirë të anashkalohet.
MCC është e specializuar në sjelljen për të mbajtur leksione të akademikëve dhe gazetarëve anglo-amerikanë kontroversë si Nigel Biggar, Peter Boghossian, Tucker Carlson, Toby Young dhe Douglas Murray. Kur mbërrita në Eztergom, pyeta disa të rinj pse ndodheshin aty.
Që të gjithë mu përgjigjën për muzikën dhe “argëtimin”. Por kur i pyeta për udhëheqësin, ata mendonin se Orban ishte shumë i mirë. “Me përjashtim të çështjeve ekonomike, ku mund të ishte më mirë”- më tha një student 25-vjeçar i drejtësisë i quajtur Tibor.
Lënë mënjanë muzikën dhe vallëzimin, zemra politike e festivalit do të shihej më qartë në diskutimet e panelit, për të cilat MCC kishte shpenzuar dhjetëra ndoshta qindra mijëra dollarë për të sjellë njerëz nga shumë larg si Los Anxhelosi, Meksika dhe Tajvani.
Temat të cilave folësit në panel iu rikthyen vazhdimisht ishin shqetësimet e së djathtës së re, pan-atlantike dhe radikale. Më të spikaturat ishin shkalla e lindjeve, kufijtë dhe identiteti kombëtar. Preferenca e Hungarisë në adresimin e problemit të shkallës në rënie të lindshmërisë është të shmangë emigracionin dhe të përqendrohet në stimulin e lindshmërisë në vend duke paguar nënat. Kështu lindja i një fëmijë të tretë i jep një çifti të martuar një pagesë prej 30.000 eurosh.
Ndërkohë gratë që kanë 4 ose më shumë fëmijë janë të përjashtuara për gjithë jetën nga tatimi mbi të ardhurat. Pra shenjtëria e familjes ishte tema kryesore dhe shpeshherë folësit lavdëronin politikat familjare në Hungarisë, edhe pse ato cilësohen si në kundërshtim të fortë me praktikat perëndimore.
Paneli në të cilin isha ftuar të merrja pjesë e vlerësoi Hungarinë e Orbanit si bastionin e fundit të vlerave familjare. “Besimi, familja, kombi!”- u shpreh ndër të tjera Vincent Harinam, studiues kanadez i shkencës së të dhënave. “Ne jemi këtu në Hungari, për ta vlerësuar atë për çdo gjë që ka për të ofruar”- shtoi ai.
Panelistët ishin të gjithë dakord dhe vazhduan të kritikonin aplikacionet e takimeve si një tipar i një shoqërie të sëmurë që e ka humbur plotësisht ndjenjën e detyrës dhe komunitetit. Sipas tyre, ne në Perëndim ishim larguar në mënyrë të rrezikshme nga rrugët e “natyrës”, dhe kjo na ka shndërruar në individë të mjerë, egoistë dhe jo anëtarë të një komuniteti.
Po ashtu Harinam foli për “degradimin e shoqërisë” ku “njerëzit i japin përparësi karrierës” dhe paralajmëroi mbi rrezikun e marrëdhënieve “kontraktuale” midis çifteve si dhe për kriminalitetin në rritje që vjen nga familjet e degraduara.
Në një panel ku u diskutua mbi marrëdhëniet e Budapestit me Brukselin, Werner Josef Patzelt, kreu i kërkimit në MCC Bruksel dhe dikur profesor i qeverisjes në Universitetin Teknik të Dresdenit, tha se meqë “Hungaria guxon të jetë një vend konservator, duke promovuar vlerat konservatore si familjet, fëmijët e kështu me radhë”, po shantazhohet dhe ngacmohet nga BE-ja, e cila ka kohë vetëm për “shtetet anëtare”, jo për “shtetet kombëtare”.
Sesioni mbi “gjeopolitikën” solli një analizë të gjerë të rezultateve të luftës në Ukrainë, tensionet SHBA-Kinë dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane. Më bëri përshtypje anti-amerikanizmi i madh, që mori formën e asaj për të cilën priret të ankohej edhe e majta: imperializmin arrogant dhe lakmia kapitaliste e një vendi që fillon “luftërat e përjetshme”.
Cinizmi mbi përfshirjen e SHBA-së në luftën në Ukrainë ishte shumë i përhapur. Nëse nga njëra anë fansat e Orban i admirojnë udhëheqësit e fortë, të guximshëm dhe luftarak – Donald Trump, Vladimir Putin, Xi Jinping – atëherë ata mendojnë gjithashtu se lufta nuk është kurrë në interesin e Hungarisë, veçanërisht atë ekonomik.
Ndaj sipas tyre është më mirë të gjendet një zgjidhje diplomatike mbi agresioni kërcënues të Putinit ndaj Evropës, ose për ta lejuar Kinën të pushtojë sferën e saj si “e barabartë” me Amerikën, siç e tha Orban javën e kaluar në një tjetër aktivitet ndërkombëtar të sponsorizuar nga Fidesz.
Thënë thjesht: Këta njerëz e urrejnë NATO-n. “NATO ka krijuar një situatë ku ishte e mundur që Rusia të pushtonte Ukrainën. Pse ekziston NATO? NATO është një organizatë e Luftës së Ftohtë, dhe pasi fitoi Luftën e Ftohtë, misioni i saj përfundoi. Megjithatë ne patëm një zgjerim. Kjo ishte një marrëzi e madhe nga politikë-bërësit në Bruksel dhe Uashington”- deklaroi Mick Hume nga portali Spiked.
Kjo lloj kthese e krahut të djathtë është e çuditshme, duke pasur parasysh se gjatë gjithë këtij shekulli kjo qasje ka qenë shumë e lidhur me të majtët, të cilët e urrenin luftën kundër terrorizmit dhe denonconin vazhdimisht interesat e kompleksit industrial ushtarak amerikan që fshihej prapa të gjithë angazhimin ushtarak perëndimor.
Në Hungari, qëndrimi i mekur ndaj pushtimit të Rusisë flet për një lojë tjetër, më shumë dinake. Kam dëgjuar vazhdimisht se është një “shpifje qesharake” e mediave liberale sipas të cilave Orban mbështet Putinin. E megjithatë Fidesz e ka bërë të qartë se dëshiron një bashkëpunim të vazhdueshëm ekonomik me Rusinë dhe ka tensionet e veta me Ukrainën, përfshirë pretendimet mbi keqtrajtimin e supozuar të pakicave hungareze atje.
Dhe sa më shumë që aleanca lindore të mbetet e bashkuar, aq më e madhe është dhimbja e kokës për Amerikën, dhe çdo gjë që përcjell armiqësi ndaj qendrës së neo-liberalizmit dhe interesit vetjak ushtarak është e mirë për Hungaria e drejtuar nga Fidesz.
Marrë me shkurtim
/albeu.com