Ashtu siç pritej, Ballkani i Ilir Dajës nuk ka gabuar përballë skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, teksa i ka mundur këta të fundit me rezultatin e pastër 2 me 0, në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri”, në përballjen e vlefshme për fazën e tretë kualifikuese të Conference League.
Përsa i përket golave, të dy erdhën në pjesën e dytë të sfidës. Fillimisht do të “fantazisti”, Meriton Korenica, i cili pasi merr një pasim të bukur afër zonës kundërshtare afrohet pak me portën dhe me një goditje potente mposht portierin kundërshtar në minutën e 59’-të të sfidës.
Vetëm 3 minuta më pas, në të 62’-tën, radhën për të gjetur “rrugën” e rrjetës do ta kishte ish-anësori i mbrojtjes së Partizanit, Lorenc Trashi, i cili me një goditje potente të një topi, që i erdhi në ajër çon sferën në cepin më të largët të portës, ku portieri Coleing, nuk mund ta kapte, duke e çuar rezultatin në 2 me 0.
Me këtë fitore, Ballkani i afrohet edhe më shumë fazës “play-off” të Conference League, teksa e vetmja gjë që ka mbetur për të “vulosur” kualifikimin e “dardanëve” është përballja e pasdites së 17 gushtit, në “Victoria Stadium” të Gjibraltarit.